E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’paguan taksat, për 2 vjet falimenton

Bizneset që nuk janë në gjendje të paguajnë taksat për dy vjet rresht, do të shpallen të falimentuara.

Fabiola Çela

Ky është rregulli i ri që përcaktohet në ligjin "Për falimentimin". Në fakt, ky draft edhe pse ishte miratuar më parë është rikthyer sërish për diskutim, pasi ndërkombëtarët e cilësuan si të paplotësuar. Më parë ishte parashikuar që nëse një biznes nuk ka kryer asnjë veprimtari tregtare për tre vjet, pra nuk ka paguar asnjë taksë, shpallej i falimentuar. Por, sipas ndryshimeve të bëra, ky afat është shkurtuar në dy vjet. Por bizneset edhe pse kanë aftësi paguese për t'i shpëtuar detyrimeve deklarojnë bilance me humbje, qeveria ka vendosur që t'i nënshtrohen procedurave të falimentimit. Drafti i ri ka nisur të diskutohet dje në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, i cili parashikon edhe krijimin e një agjencie të posaçme. Drafti i ri do të mbikëqyrë të gjitha procedurat, të cilat nisin nga administrata tatimore. Një agjenci e posaçme do të mbikëqyrë të gjitha procedurat, të cilat nisin nga administrata tatimore. Drafti parashikon sanksione ndaj tatimorëve, të cilët nuk fillojnë procedurat e falimentit, duke bërë që firma-fantazmë të ekzistojnë në treg, pavarësisht se raportohen me humbje. "Banka Botërore ka marrë edhe projektin për ndryshimin e ligjit të falimentit, e ka studiuar dhe na ka rekomanduar ndryshime në pjesën që i takojnë administratorëve, mënyrën e përzgjedhjes së tyre si dhe krijimin e një agjencie", ka thënë dje në Komisionin e Ekonomisë përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Linda Rusmali. Ndërkohë deputetët e opozitës kanë kërkuar që të merret në konsideratë mendimi i biznesit përpara se të miratohet ky ligj, pasi ky është një draft që prek drejtpërsëdrejti biznesin.
Gjobat
Biznesi nuk parapaguan më 15 për qind të gjobës para se të ankimojë vendimin në gjykatë, por parapaguan vetëm detyrimin tatimor. Komisioni kuvendor i ligjeve ka miratuar për herë të dytë nen për nen ligjin e procedurave tatimore, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në një nen të projektligjit të ri të qeverisë "Për procedurat tatimore", është i përfshirë edhe ligji i gjobave. Me marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese ky nen do ndryshojë, pra nuk do të ketë më parapagim të 15 qind të vlerës së gjobës. Financat kanë pranuar dështimin e ligjit "Për procedurat tatimore". Ky ligj daton që në dhjetor të vitit 1999. Që nga kjo kohë e deri më tani qeveritë i kanë bërë goxha ndryshime.

Malaj: Liria fiskale në Shqipëri mbetet e ulët

Partia Socialiste gjykon se, liria fiskale e Shqipërisë nuk është më e ulëta në Evropë dhe as nuk është shndërruar në përfitime për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë. Deputeti socialist Arben Malaj, deklaroi dje, gjatë një konference për shtyp se, "bazuar në treguesit e lirisë ekonomike për vitin 2008 dhe deklaratat e Kryeministrit se, 'Shqipëria është vendi me lirinë fiskale më të ulët në Evropë', mund të them se për vitin 2008 liria ekonomike e Shqipërisë është përkeqësuar, sipas raportit të institucioneve ekonomike ndërkombëtare". Sipas Malaj, "dy elementë të lirisë ekonomike, që pengojnë më shumë zhvillimin e vendit, siç janë liria nga korrupsioni dhe të drejtat e pronës, janë në nivelet më të ulëta dhe nuk janë përmirësuar gjatë 3 viteve të fundit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›