E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shtëpitë i kemi me hipotekë, nuk do lejojmë të na i prishin”

Futen në grevë gratë e familjeve që do t'u prishen shtëpitë me hipotekë të rregullt pranë maternitetit "Koço Gliozheni" në kryeqytet.

Me to, edhe pronare të disa shtëpive të shembura tashmë. Ndërtimi i tyre daton që në vitin 1939. "I kemi të gjitha letrat në rregull, me tapi, hipotekë, kontratë shitblerjeje. Nuk mund t'i prishet shtëpia tjetrit kështu", u shprehën disa prej tyre. Duke mos gjetur zgjidhje dhe pas dy protestash të njëpasnjëshme para Bashkisë së Tiranës, 14 familjet e prekura kanë parë grevën si mënyrën e vetme që t'u dëgjohet zëri. Greva nisi dje rreth orës 18.00. Me vendimin e datës 05.05.2008 nga KRRT-ja e Tiranës, shtëpitë e këtyre banorëve do prishën pasi do të bëhet një segment rruge prej 0.4 km. Bashkia ka paraqitur sipas banorëve formularin e prishjes më datë 08.05.2008 vetëm 3 ditë pas marrjes së vendimit, duke ndërhyrë menjëherë dhe pa asnjë paralajmërim. Në këto kushte, janë shembur disa shtëpi pa i kontrolluar dokumentet përkatëse. Shtëpitë e tjera, me dokumente apo jo, do të shemben sot. Konflikti midis bashkisë dhe familjarëve qëndron në mosplotësimin e formularëve të shpronësimit nga bashkia, për sipërfaqen që do t'u merret këtyre banorëve për ndërtimin e këtij aksi rrugor. Banorët kërkojnë që sipërfaqja e shtëpive të vlerësohet nga ekspertët dhe të zgjidhet problemi i strehimit të tyre. Gjithashtu, ata thonë se, bashkia po abuzon me ta, duke e shkelur totalisht ligjin. Ndërkohë peticioni i hartuar prej tyre i është dorëzuar këshillit bashkiak. Ai mban firmën e kryetarëve të 43 familjeve që disponojnë dhe dokumentet e plota për pronat e tyre. Pas sorollatjeve me ditë të tëra nëpër dyert e Bashkisë së Tiranës, me shpresën se do të gjenin zgjidhje për problemin e tyre, qytetarët ndeshën me një indiferencë të madhe të zyrtarëve të bashkisë, të cilët sipas tyre, nuk denjuan as të dëgjonin hallet që kanë. Ata kërkuan, madje edhe një takim me kryebashkiakun Rama, gjë që nuk u realizua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›