E Diel, 1 Nëntor 2026

Grekët dëbojnë vëllanë e pengmarrësit Resuli

22/12/2004  Ngjarja e rrëmbimit të autobusit në Greqi, sikurse e parashikuan edhe shumë analistë grekë, por edhe shqiptarë, nuk po kalon pa probleme ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi. Përpos sulmeve apo akuzave ndaj të huajve, në përgjithësi, e në veçanti ndaj shqiptarëve, nga ana e ultranacionalistëve grekë, do të jenë vetë autoritetet policore dhe të drejtësisë greke që ndëshkojnë. Këtë fakt e bën publik gazeta greke "Eleftherotipia", e cila duke iu referuar një deklarate të avokatit të Njazi Resulit, Vangjelis Naumis, nënvizon faktin se vëllai i Resulit rrezikon dëbimin nga Greqia.

Avokati

Avokati Naumis ka deklaruar se, "ndërsa vëllai i Resulit jo vetëm që shkoi menjëherë në vendngjarje, por ndihmoi dhe bashkëpunoi me autoritetet policore, duke e bindur Njaziun për t'u dorëzuar, të nesërmen e asaj dite u arrestua dhe mbahet në rajonin e policisë së Shën-Stefanit, pasi kundër tij kishte një mandat për dëbimin e tij nga Greqia, nga gjykata e Janinës, për hyrje të paligjshme në shtetin helen. Ndërkohë që, aktualisht, ai jeton legalisht në Greqi". Lefteri, vëllai i Njaziut, luajti një rol shumë të rëndësishëm për ta bindur atë të dorëzohet "vetëm nga ky fakt, ministri (Vulgarakis), mund të ishte treguar më i ndjeshëm. Në të kundërtën, ndërsa gjatë gjithë kohës ndodhej pranë autoriteteve policore, u la i lirë të shkonte pas përfundimit të operacionit, pët t'u arrestuar të nesërmen", ka thënë avokati Naumis.

Akuza

Akuza ndaj njëri-tjetrit dhe deklarata pendimi. Që të dy shqiptarët pengmarrës, Njazi Resuli dhe Leonard Murataj, u dënuan me burg pa afat nga prokurori i çështjes. Por, ndërkohë nga hetusia vijnë të dhënat e para për përpjekje të të dy të pandehurve, për t'i lënë fajin njëri-tjetrit. Secili prej tyre u përpoq të bindë hetuesin dhe prokurorin e çështjes, se ishin zhytur në këtë krim, duke akuzuar shokun si frymëzues të pengmarrjes. Natyrisht që të dy kanë deklaruar të penduar për "veprimin idiotesk", duke kërkuar falje si ndaj popullit grek, ashtu edhe ndaj bashkëpatriotëve të tyre. "Nuk bëra asnjë tentativë për vrasje, pasi gjatë gjithë kohës ndodhesha në pjesën e përparme të autobusit dhe nuk kam qëlluar unë ndaj policëve. Ishte një budallallëk i madh. I kërkoj falje popullit grek dhe bashkëpatriotëve të mi. Familja ime jeton legalisht në Greqi", ka deklaruar Njazi Resuli. "Klienti im, i cili ka disa probleme, i tha hetuesit se ishte Njaziu ai që e ngatërroi në këtë akt", ka deklaruar nga ana e tij, avokati mbrojtës i Leonard Muratit. Që të dy kërkuan falje, e pas përfundimit të seancës hetimore u dërguan në burg.

Leonard Olli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›