E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoakin gati për Çelsin

22/12/2004  

Një nga synimet e radhës për Çelsin vazhdon të mbetet sigurisht anësori spanjoll Hoakin Sançez. Ky i fundit aktivizohet në radhët e skuadrës Real Betis, por kohët e fundit ka deklaruar se ka shumë dëshirë për t’u transferuar në radhët e bluve të Londrës kur të nisi merkatoja e janarit. Në këtë mënyrë bisedimet e klubit londineze dhe mesfushorit të skuadrës përfaqësuese spanjolle janë bërë gjithmonë e më intensive. Ndërkohë presidenti i Real Betis, Manuel Ruiz De Lopera ka pranuar se do ta largonte Hoakin nga skuadra për një vlerë të konsiderueshme parash. “Unë do të shkoja nëse do të binim të gjithë dakord për një marrëveshje të tillë, ka thënë Hoakin. Çelsi është një skuadër, të cilën e synojnë të gjithë dhe deri më tani nuk ka asnjë që të mos flasi në lidhje me ecurinë e tyre në kampionat dhe në Ligën e Kampioneve”. Mendohej se Hoakin mund të bëhej një nga shënjestrimet kryesore të Real Madrid, por që gjithësesi kjo marrëveshje ka mbetur përherë në aspektin e bisedimeve dhe asgjë më tepër. Ndër të tjera lojtari i shumëkërkuar në sezonin e kaluar, ka zgjatur më shumë kontratën e tij me klubin nga Sevilja. “Unë kam firmosur kontratën e re për të vazhduar qëndrimin tim këtu, por edhe nëse do të më duhet që të largohem, atëherë do ta bëjë një gjë të tillë, ka shtuar Hoakin. Gjithmonë e kam bërë të qartë se nuk shqetësohem për aty se ku do të shkojë, ndonëse si një futbollist profesionist unë dua të fitojë gjëra të rëndësishme me skuadrën time aktuale. Do të largohem vetëm nëse këtë do të ma kërkonte vetë presidenti i klubit tonë”. Një gjest mjaft të veçantë ka treguar Hoakin duke iu gëzuar golit të barazimit në derbin me Seviljen të zhvilluar fundjavën e kaluar. Kështu, ai ka puthur me forcë stemën e klubit në fanellë, një veprim i cili në Spanjë interpretohet si shenjë lamtumire për skuadrën besnike të Real Betis.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›