E Diel, 1 Nëntor 2026

Grekët, fushatë politike për të shtënë në dorë kishën ortodokse shqiptare në Amerikë

26/01/2005  

Si u pwrballwn marrdhwniet greko-shqiptare nw diasporw? Si ishte gjendja e organizatave shqiptare nw Amerikw? Cili ishte reagimi i tyre ndaj deklarateve greke pwr vorio-epirin? “Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta në librin e tij. Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: Tensioni greko-shqiptar 1939-1949, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.

Gjatë viteve 1945-1949 në diasporën shqiptare ndodhën një sërë zhvillimesh të rëndësishme politike. Problemeve dhe vështirësive organizative të mëparshme të emigracionit iu shtuan edhe dukuri të reja. Pikësëpari, po përvijohej dhe thellohej një ndarje politike e ideologjike, e cila reflektonte situatën politike të Shqipërisë.

Ajo ishte pasojë e vendosjes së regjimit komunist dhe e politikave të tij ndaj emigracionit shqiptar. Kështu, kolonia shqiptare në SHBA, më e fuqishmja e të gjitha kolonive shqiptare, që përmbante një potencial të konsiderueshëm intelektual, ishte e ndarë në dy organizata kryesore, “Vatra” dhe “Shqipëria e Lirë”, në grindje dhe mosmarrëveshje me njëra-tjetrën. Pas mosmarrëveshjeve dhe sugjerimeve të papranueshme, që i kishin bërë udhëheqësit e “Vatrës” gjatë viteve 1945-1947 për përmirësimin dhe vendosjen e marrëdhënieve me SHBA, qeveria komuniste, ishte ftohur me këtë organizatë dhe po anonte nga një afrim më i ngushtë me organizatën kundërshtare “Shqipëria e Lirë”.

Kolonia shqiptare në Argjentinë prej 2000 vetësh ishte e ndarë në dy organizata rivale. Njëra quhej “Bijtë e Shqipërisë së Lirë”, e cila ishte degë e Organizatës “Shqipëria e Lirë” në SHBA dhe mbështeste qeverinë e Tiranës. Ndërsa tjetra quhej “Skënderbeu” dhe ishte nën influencën e zogistëve. Në këtë koloni vepronte edhe një grup “vorioepirotësh”. Në koloninë shqiptare të Australisë u krijuan dy organizata me të njëjtin emër “Shoqëria Shqiptare”, me qendër në Sheperton dhe në Perth. E para anonte më shumë nga organizata “Shqipëria e Lirë” e SHBA, kurse e dyta mbante lidhje me eksponentët e Ballit Kombëtar në Itali. Në Perth zhvillonte aktivitet edhe një grup “vorioepirotësh” nga Korça dhe nga Gjirokastra, nën kryesinë e Athanas Gjinokastritit.

Në koloninë e Francës ekzistonin dy organizata. Njëra orientohej nga Perëndimi dhe drejtohej nga Nuçi Kota, Sefedin Gollaku, dr.Androkli Filipeu, Isuf Begeja, Ramazan Shpati etj., dhe tjetra, që kryesohej nga Zija Baholli, Loro Ibrahimi, Iljaz Pashaj, Mihal Zeta etj., mbante lidhje me PK Franceze.

Në diasporën e vjetër arbëreshe vepronte një shoqatë e quajtur “Assocciazione Amici dell Albania”, e cila ishte kundër qeverisë së E.Hoxhës. Por tek arbëreshët kishte influencë të ndjeshme edhe PK Italiane, e nëpërmjet saj edhe qeveria komuniste e Shqipërisë.

Kolonitë shqiptare në Egjipt dhe në Turqi ishin nën ndikimin e Zogut.

Pra, në diasporën shqiptare vërehej mungesa e theksuar e kohezionit politik dhe një copëzim organizativ. Kjo gjendje pengonte aktivitetin e saj në dobi të mbrojtjes së integritetit të Shqipërisë dhe, veçanërisht, veprimtarinë kundër politikës aneksioniste greke, për arsye se organizimi i diasporës është një konditë sine qua non për të arritur suksesin. Për të qenë efektiv një lobi etnik i duhet organizimi, koordinimi dhe udhëheqja. Këto karakteristika ishin në një nivel modest në lobin shqiptaro-amerikan gjatë kësaj periudhe. Madje, as aftësia organizative nuk është faktori i vetëm. Vullneti, domethënë motivimi për të angazhuar burime të vlefshme energjie, është gjithashtu me rëndësi vendimtare. Mobilizimi i diasporave është, në një farë mase, i lidhur me rolin që luan vendi mikpritës në sistemin ndërkombëtar dhe me vlerësimin e këtij mobilizimi të diasporës nga vendi i saj i origjinës.

Objektivi i parë i qeverisë së Tiranës kundrejt diasporës ishte lufta kundër influencës së emigracionit politik. Ndërsa angazhimi i diasporës në mbrojtje të interesave kombëtare, shihej si një çështje e dorës së dytë dhe vetëm në funksion të së parës. Kjo situatë kishte krijuar një mjedis të përshtatshëm për politikën greke, e cila gjatë viteve 1945-1949 ishte angazhuar në një fushatë intensive për të fuqizuar grupet “vorio-epirote” në kolonitë e ndryshme shqiptare dhe, në mënyrë të veçantë, për të shtënë në dorë, me anë të Patriarkanës së Stambollit, Kishën Ortodokse Shqiptare të Amerikës. Ndonëse nuk ia kishte arritur këtij qëllimi, ajo i kishte shkaktuar mjaft dëme asaj. Pas një hezitimi të gjatë pesëvjeçar, më në fund, në shkurt të vitit 1950, KOA e Shqipërisë miratoi kërkesën e KOSH-it të Amerikës për bashkimin me të. Por ky vendim “u mor me vonesë dhe në kohë të papërshtatshme për Nolin dhe për Kishën Shqiptare të Amerikës”.

KOSH e Amerikës nuk u lidh efektivisht me atë të Shqipërisë. Vetë Noli e la mënjanë këtë çështje. Në këtë qëndrim ndikuan disa faktorë: acarimi i marrëdhënieve të SHBA me qeverinë komuniste; presioni i lëvizjes antikomuniste ose makartiste në SHBA dhe lëvizjet, që bëri Patriarkana e Stambollit. Noli i kishte thënë B.Shtyllës në vitin 1949 se, atë po e luftonte nga jashtë Patriarkana e Stambollit. Athenagora, i cili tani ishte bërë Patrik në Stamboll, po bënte çmos që të shkallmonte Kishën Shqiptare të Amerikës, duke u mbështetur edhe në ndonjë renegat në radhët e priftërinjëve të saj”.

Patriarkana e Stambollit i shpejtoi dhe i shkallëzoi veprimet e saj kundër Kishës Shqiptare në Amerikë, duke emëruar Marko Lipën si peshkoptë saj. Noli e intensifikoi fushatën kundër peshkopit filogrek të dërguar nga Patriarkana. Këtë herë ai pati mbështetjen si të “Diellit” dhe “Vatrës” ashtu dhe të “Lirisë” dhe “Shqipërisë së Lirë”. Në një intervistë, që i dha shtypit të Bostonit, ai kundërshtoi vajtjen e Marko Lipës në Amerikë dhe deklaroi se, “Kisha shqiptare ishte një organizatë fetare, që nuk merrej me politikë. Ajo s`kishte lidhje me qeveritë e huaja ose me minoritetet e huaja dhe nuk ishte nën influencën komuniste”. Kjo intervistë synonte t`i kundërvihej akuzave dhe propagandës së Marko Lipes e të Patriarkanës greke, që qëndronte pas tij.

Megjithëkëtë gjendja në kishat shqiptare nuk ishte e mirë. Në fillim të vitit 1951, Marko Lipa arriti të shtrinte influencën në dy kisha shqiptare, njëra prej të cilave ishte kisha e Shën Joan Pagzorit në Boston.

Kostë Çekrezi pohonte se ata, që kërkuan nga Patriarkana të dërgojë M.Lipen, të cilët “Dielli” i kishte denoncuar “padrejtësisht si epirotë dhe andartë”, synonin kryesisht të largonin nga vetja e tyre dyshimin se ishin prokomunistë dhe se, ata e kishin bërë këtë kërkesë, pasi ishin shkëputur nga Peshkopata e Nolit prej një kohe të gjatë. Megjithëse në këtë pohim ka një pjesë të së vërtetës, ai nuk e jep të plotë atë. Patriarkana e shfrytëzoi rastin për të futur përçarje në komunitetin shqiptar të Amerikës dhe për të shtrirë influencën e saj mbi të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›