E Diel, 1 Nëntor 2026

Logos & Locus

25/01/2005  Avokati Spartak Ngjela i është përgjigjur kësaj radhe komentatorëve të gazetës sonë në tre pyetje, që kanë të bëjnë me zgjedhjen e një femre në krye të politikës së jashtme amerikane, karrierën brenda partisë më të madhe të opozitës si dhe debatet e artikuluara një javë më parë rreth prirjeve liberale të së djathës. Pyetjet, apo edhe debate për çështje të ndryshme, mund të dërgohen në adresën elektronike metropol@gazetametropol.com

Logos1: Rice më afër Bushit

- Një zonjë dhe për më tepër një zonjë me origjinë negre, Kondolenca Rice është sekretarja e dytë e shtetit e SHBA femër?

Përgjigje: Mendoj se i përgjigjet kohës. Kondolenca Rice është një personalitet i padiskutueshëm tashmë. Për mendimin tim, ka qenë më aktive nga sekretari i mëparshëm, dhe njëherësh më afër me Presidentin amerikan. Kam përshtypjen se me ndërrimin e sekretarit të Shtetit, ne normalisht presim të shohim se çfarë do të ndryshojë në politikën amerikane në këtë mandat të dytë. Dhe unë mendoj se do të ketë ndryshime. Zonja Rice duket se e njeh mirë edhe politikën lindore edhe atë evropianoperëndimore. Gjatë fushatës, oponeniti e atakoi politikën e Xhorxh Bushit se është e vetme dhe jo panperëndimore në lidhje me luftën në Irak. Atëherë, çfarë do të ndodhë? Kondolenca Rice, është më radikale në rrugën aktuale të politikës apo disi më ndryshe? Kam mendimin se është më afër Bushit, domethënë e ndien se kjo luftë e nisur nuk është një ndërmarrje e thjeshtë, apo një kapriçio, por një luftë e gjatë, nga e cila Amerika duhet të dalë e fituar. Të gjitha të tjerat janë pastaj gjëra të paqarta, që do t’i sqarojë historia. Jam i bindur se Kondolenca Rice do të shkëlqejë në këta katër vite, që sigurisht se do të jenë shumë të vështirë për politikën amerikane. Është shumë elegante në nuancat politike, dhe ndihej shumë e sigurt; gjë që të bën të mendosh se bashkë me Presidentin amerikan e njeh mirë doktrinën së cilës do t’i përmbahet në këta katër vjet. Pres të tregohet shumë aktive, dhe jam i bindur se nuk do të gabohem, pasi rritja e intensitetit të politikës së jashtme, kërkon gjithnjë një person tepër aktiv për ta bërë, dhe ajo është e tillë.

Logos2: E rëndësishme çfarë do të bësh me pushtetin

- Lëvizja e fundit e Partisë Demokratike për krijimin

e Komitetit të Orientimit të Politikave ka ngjallur

reaksion të madh. Në fakt është kjo një zgjidhje për

problemin e karrierës se ngecur brenda PD, apo thjesht

një shtyrje në një kohë tjetër e një karriere reale

politike brenda të djathtës shqiptare?

Përgjigje: Ishte e pritshme që krijimi i Komitetit të Politikave në Partinë Demokratike do të ngjallte reaksion te kundërshtari. E para, sepse, edhe pse socialistët nuk e kuptojnë kështu, në të vërtetë kjo është një frymë liberale. Politika jonë është një politikë e mbështetur te demoktracitë liberale; me treg të lirë dhe individ të lirë. Në të vërtetë ky është programi ynë, të cilin e ka deformuar politika aktuale e socialistëve. Sistemi sot nuk po funksionon, sepse socialistët e kënë deformuar me anë të karakterit të tyre totalitar. Ata vërtet duket se janë pasuruar individualisht, por kanë bllokuar të gjithë zhvillimin, sepse i ranë tregut dhe ligjit. Por tani e kuptojnë që humbja e përgjithshme paskësh qenë edhe humbja e tyre. Llogari që nuk ishin në gjendje ta bënin, psh., para katër vjetësh. Dhe duhet të kuptohemi se nuk është vetëm humbje politike që do të vijë nga zgjedhjet e reja, por edhe një humbje që ka të bëjë me të ardhmen e tyre. Fryma e re, specialistë dhe njohës korrektë të sistemit, që janë afruar e do të afrohen në PD, sigurisht që janë aspekt i shpresës se ne do ta nxjerrim shoqërinë nga kriza. Nuk mjafton të kesh marrë pushtetin, më e rëndësishme është çfarë do të bësh më të. Partia Demokratike më këtë frymë do të rikonstruktojë gjithçka të deformuar dhe, duke iu drejtuar intelektit të lartë, tregon se ka përgjegjëshmëri për atë që do të ndërmarrë. Kjo është arsyeja e shqetësimit socialist. Por nuk ka gjë, sepse do t’u kalojë.

Logos 3: Ka optimizëm në rrethet liberale të Tiranës

Një KOLOKIUM i titutulluar "TEZA PER NJE PLATFORME

TE DJATHTE LIBERALE" është zhvilluar në hotel Sheraton

në fillim të javës. Tani po flitet realisht për

liberalizmin dhe idetë e tregut në Shqiperi apo më

saktë po riflitet në një mënyrë më të organizuar?

Përgjigje: Po, ishte një kolokium shumë cilësor. Ishte në fakt deviza kryesore e programit të opozitës dhe gjithashtu e përkrahëm se është edhe rrjedhojë e asaj që është menduar se duhet bërë në Shqipëri për ta nxjerrë shoqërinë nga kriza. Ka optimizëm në rrethet liberale, dhe kjo na gëzon. Partia Demokratike, siç thashë edhe pak më lart, e koncepton gjendjen aktuale në Shqipëri si nje degradim që ka ardhur nga mosnjohja e sistemit në një krah, dhe nga abuzimi i llahtarshëm i socialistëve me pushtetit në krahun tjetër. Kurse kolokiumi tregoi se në Shqipëri ka forca të demoktracisë liberale që do ta mbështesin realisht politikën e Partisë Demokratike pas rënies së bandës socialiste antitreg.

Opinioni publik pa ndërkaq se socialistët është e pamundur që të marrin pjesë në kolokiume të atij niveli, sepse janë mbetje të koncepteve të vjetra që s’kanë asnjë lidhje me atë që ne duam të ndërtojmë në Shqipëri. Në fakt, kam përshtypjen se pikërisht për këtë janë përkrahur nga forca që duan ta dominojnë tregun dhe zhvillimin shqiptar. Megjithatë, demokracia liberale ka forcë në Shqipëri, kjo është ndoshta shenja më elokuente që dha si provë kolokiumi që titullohej: “Teza për një platforme të djathtë liberale”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›