E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skënder Sallaku: Humoristi nën ndjeshmëri

25/01/2005  

Aktorë të humorit nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur dje për të festuar 70 vjetorin e humoristit Skënder Sallaku;

Në këtë përvjetor vendimi për të lënë karrierën i përmbyset nga një ofertë e papritur në një film humoristik

Më gotën e verës vendosur mbi krye Skënder Sallaku i shkul prap gazit miqtë e tij kur ia heq valles. Pas gjysëm shekulli që vetëm qesh, tallet dhe kurrë nuk e merr seriozisht njeriun, aktori mbushi 70 vjet. Pikërisht, dje, pat vendosur që t’ju thoshte miqve se në këtë ditë po mbyllte karrierën, nuk do të dilte më në skenë.

Por zërat ia mbinë prap në vesh duke i ardhur dhe oferta më e fundit, realizimi i një filmi artistik. Sërish “grada” do të jetë aktor humori, megjithëse Sallaku nuk e tregon deri në fund gazin e tij. Jeta e artistit që i shpëtoi për qime diktaturës vetëm ngaqë nuk e merrnin seriozisht.

Mbushët 70 vjeç dhe keni ftuar shumë miq për ditëlindje...

Me thënë të drejtën këto miq më mbajnë të gjallë. Më mbajnë energjitë dhe gëzimin. Këto tavolina që janë shtruar për ditëlindjen time janë të gjithë artistë. Me një fjalë gjithë ky ambjent këtu për mua është familjar.Kanë ardhur nga aktorë nga Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Teatri popullor. Por nuk dua të përsëris atë që e kam thënë shumë herë të tjera kur kam qenë kampion i Shqipërisë në mundje.

Meqë një pjesë të jetës sime e kam kaluar dhe me sportin kam ftuar dhe futbollistët që kanë luajtur me Tiranën.

E nisët me sportin, ç’ju shtyu të kalonit në humor?

Aty e kisha shpirtin gjithë jetën. Kam nisur të “qesh” qysh në moshën 16 vjeç. Me një grup amatorësh të Pallatit të Kulturës hyra në balet, e nisa pra si balerin. Në vitin 1953 u krijua estrada e kufirit duke kaluar si aktor në këtë estradë. Dhe më 1956 kalova në estradën e Tiranës deri në ditën që dola në pension.

Mban mend çastin kur u gjendët në humor pasi braktisët mundjen?

Mundja nuk mund të vazhdohej për shumë vite kërkonte rini. Kurse arti vazhdon sa të kesh fuqi nëse je mirë fizikisht.

Pas këtij momenti çfarë u bë e qeshura për ty?

E qeshura është jeta ime. Nuk mund të rri pa qeshur, të gjitha situatat e gëzueshme i krijoj nga ky shkak. Vetëm që të prodhoj tek njerëzit buzeqeshje. Madje nuk përmbahem edhe në hidhërim, prap se prap e lëshoj nga një batutë me qëllim që njerëzit të qetësohen, për t’u mos mbushur me shumë ligështi.

Cilat janë “shanset” që një aktor të jetojë si humorist?

Mbi të gjitha humoristi ka anën shpirtërore. Pa këtë një aktor humori nuk mund të bëjë asgjë. P.sh njerëzit më të ndjeshëm janë humoristët e vërtetë, sepse ato ndjenjë gjithçka. Dijnë të thonë menjëherë çfarë është mirë e çfarë është keq. Humoristi di të frenojë veten dhe shokët. Ndaj një aktor pa humor, pa gjallëri nuk mund të mbijetojë e as ti ecë në karrierë po nuk e pati në shpirt, në asnjë rrethanë tjetër nuk ke shanse për t’ja arritur këtij lloj aktrimi.

Sa vite nga jeta jua kanë kaluar vetëm me humorin?

Kam 52 vjet si profesionist humori. Dhe e ndjej akoma veten shumë mirë. Por sipas dëshirës dhe mendimit sonte desha ta mbyll karrierën. Por pikërisht sot më erdhën propozime nga miqtë e mi për të xhiruar film, duke më paraqitur projektet që kishin vendosur t’i realizonin. Dhe mendja sigurisht m’u prish, i pranova pasi mendova me veten “prit o vëlla se ndjehem mirë fizikisht, se kam akoma gjallëri brenda vetes. Domethënë ia rinisa prap aktiviteti artistik.

Koha e diktaturës rrënoi jetën e shumë artistëve, me humorin ju keni qenë në qendër të vëmendjes për më shumë se gjysëm shekulli, si keni rezistuar?

Atëherë vërtetë mund të kishim pak frikë. Por tek unë ka ndodhur diçka e veçantë

Mua më kanë dashur të gjithë. Edhe atë gabim që bëja kur tregoja ndonjë barcaletë ma falnin duke u shprehur se Skënderi nuk e thotë me qëllim, e ka për humor, pavarsisht se ajo godiste dhe godiste fort. Në të gjitha rastet më ka shpëtuar humori, se ndoshta do të kisha pasur në disa raste fatin e kolegëve të mi.

Gjatë kohës kohës që ishte e vështirë mbijetesa, dhe që ti e përballove mirë me humorin a ke pasur idhuj ?

Nuk është çështje idhulli por një nga njerëzit që më ka mbetur më afër dhe që më ka ndihmuar gjithë jetën është ime shoqe. Kur merrja materialin ajo e shtinte në duar e niste për të studiuar duke më udhëzuar se kush ishte më e sakta për mua dhe kush nuk bënte. Madje Vitorja ka shkruar dhe vetë, por ka qenë dhe një nga akrobatet më të mira që ka pasur Shqipëria. Ajo ka qenë një nga bazat kryesore mbështetje për mua. Mjaft mbështetje kam pasur edhe prej shkrimtarëve duke filluar nga humoristi i vjetër Dionis Bubani, i cili ka shkruar për mua qysh në moshën 18 vjeç, e më pas vijnë me radhë Koço Devole, Pëllumb Kulla, Filip Çakuli, Bujar Kapexhiu etj,. Pothuaj për mua kanë shkruar të gjithë penat e humorit. Por kam një respekt të veçantë për Bubanin.

A keni pasur ndonjë moment të vështirë që nuk keni mundur t’ja hidhni në sajë të humorit?

Jo, nuk mund ta them se sot kjo mbrëmje është gëzimi im.

Ku ka qenë sekreti juaj?

Kam pasur shumë kurajo kur lëshoja batutën, kisha shumë besim në vetvete. Asnjëherë nuk jam trembur, madje do të thoshja mjerë ai që trembet

Cila ka qenë gjëja më e rëndësishm që të ka shoqëruar gati si filozofi jetën tënde prej humoristi?

Gjithë jetën më ka pëlqyer respekti karshi njeriut dhe puna e madhe. Po të më pyesësh se kë urren më shumë përgjigja është mosmirënjohja.

Kë humor keni vlerësuar dhe preferoni njëkohësisht nga Shqipëria?

Më pëlqen humori që bëhet në Durrës, sidomos nga Fadil Hasa. Po ashtu janë shumë simpatikë parodistët e Vlorës, ndërsa Zef Deda është ajka e humorit shkodran.

Po për humorin e sotëm çfarë mendoni ?

Mendoj se vetëm një pjesë ka ecur mirë. Por të them të drejtën mund të ishin pak më të frenuar nga ana e banalitetit megjithëse ka artistë shumë të mirë. P.sh programi i humorit të “Portokallisë” po nxjerr elementë të rinj të humorit. Por nga ana tjetër një Fadil Hasa apo Zef Deda zor se gjehen.

Aktori i humorit Tano Banushi që ka vdekur, vështirë se mund ta sjellë skena një imazh të tillë në humor. Por rëndësi ka që në këtë fushë ky vend ka nxjerrë dhe vazhdon të prodhojë talentë.

A e ka trashëguar ndokush nga familja humorin tuaj?

Asnjë. Madje as unë nuk kam njeri të familjes sime në të shkuarën që të dallohej për humor.

Artisti ka kulminacionet e tij, kur mendon se ke kapur mollën e suksesit?

Që në momentet e para që kam dalë në skenë , në vitet ’50 deri më ‘ 70 them pa frike se jam ndjerë shumë mirë. Në përgjithësi artisti mundohet të qëndrojë dhe që të qëndrojë do forcë, dhe që të ketë forcë duhet të punojë.

Po kur flet seriozisht Skëndër Sallaku çfarë ndodh me aktorin?

Kur flas seriozisht... tepër e vështirë, më zë e qeshura, dhe njerëzit prap thonë se Skënderi po tallet.

Në moshën 70 vjeçare thatë se sapo kishti vendosur të linit karrierën, por ua prishi mendjen një projekt filmik...cfarë është konkretisht?

Po do të jem në një film së shpejti. Tani më është propozuar që të luaj. Dhe ftesën e kam pranuar por nuk mund të zbuloj më tepër. E sigurtë është se do të jetë film me humor.

Intervistoi: Violeta Murati

Box

Kur Bubani shkruante për humoristin

Dionisi ishte nga të parët e humorit tim, me materialin e tij hodha hapat e para në aktrim. Ka shkruar një monolog “Se si dashuronin demokratët”, që ka qenë nga pjesët më të rralla për mua, që i takojnë viteve ’50. Humori ashtusikurse vetë Bubani shkruhej me shumë fisnikëri duke më ardhur si kallëp me natyrën time. Nga ana tjetër vetë shkrimtari më thoshte shpesh se “materiali im gjen jetë tek ty”.

.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›