E Diel, 1 Nëntor 2026

"OMGJ-të, kompanitë e huaja po gjejnë parajsën te ne"

26/01/2005  Feruni: Mungon vullneti i mirë për të krijuar një kuadër ligjor, qoftë dhe të përkohshëm

"Përderisa nuk kemi një kuadër ligjor për kontrollin e OMGJ-ve kompanitë shumëkombëshe mund të bëjnë çfarë të duan në Shqipëri, ato kanë gjetur parajsën te ne", deklaron Lavdosh Feruni, kryetari i Shoqatës së Bujqësisë Organike. Dje, Ministria e Mjedisit organizoi Takimin e Parë Kombëtar të Biosigurisë për Shqipërinë. Në këtë takim morën pjesë, përveç rreth 100 specialistëve në këtë fushë, edhe ministri i Mjedisit, Et'hem Ruka, ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Agron Duka, kryetari i Komisionit parlamentar të Shëndetësisë dhe Mjedisit, Emin Gjana, përfaqësues nga PNUD-i etj. Por, për të bërë të mundur kontrollin e prodhimeve OMGJ që hyjnë në Shqipëri, specialistët shprehen se mungon vullneti pikërisht i qeveritarëve. "Mungon vullneti i mirë që të krijoj një kuadër ligjor, qoftë dhe të përkohshëm, nuk është vendosur asnjë afat mbi shqyrtimin e këtij kuadri. Autoritetet e shtyjnë pafundësisht", thotë Feruni. Sipas tij, në axhendën e parlamentit për këtë tremujor nuk është futur për t'u diskutuar ky ligj, as ai i vjetri i përgatitur që në vitin 2001 dhe as ai i përgatitur rishtas. "Sot autoritetet nuk përmendën asnjë datë të mundshme se kur ky kuadër ligjor do të jetë gati dhe përderisa s'kemi një kuadër ligjor për të kontrolluar hyrjen e këtyre produkteve në kufi, kompanitë shumëkombëshe janë të lira", thotë Feruni.

Lobing 24 deputetë

Në muajin dhjetor, një grup prej 24 deputetësh, nga i gjithë spektri politik, i paraqitën parlamentit një kuadër ligjor të përkohshëm për të miratuar, në mënyrë që të pengohet hyrja e produkteve të pakontrolluara, dukuri sidoqoftë e re për shqiptarët, e cila i ka gjetur pikat doganore dhe kuadrin ligjor të përgatitur dhe të plotësuara. Dhe ky kuadër ligjor është mëse i domosdoshëm, pasi jo vetëm ekziston rreziku i futjes së tyre, por dhe i mbjelljes, kultivimit të këtyre produkteve në Shqipëri. Në fund të takimit të djeshëm, nga specilistët u përpiluan dhe rekomandimet. "Grupi ynë vendosi që t'i rekomandoj Ministrisë së Mjedisit që t'i sugjeroj parlamentarëve që të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur një kuadër ligjor për t'i kontrolluar këto produkte kur hyjnë, si dhe të kontrollohet mbjellja e tyre. Ndërkohë që duhet të lejohet hyrja e atyre ushqimeve për njerëzit dhe për kafshët të miratuara nga Bashkimi Evropian", thotë Feruni.

Projekti, 190 mijë USD

për hatimin e ligjeve

Biosiguria ka të bëjë me përpjekjet për të reduktuar e eliminuar rreziqet potenciale që rezultojnë nga bioteknologjia dhe produktet e saj, ku përfshihen dhe OMGJ-të. Ky takim, u organizua në kuadrin e projektit “Hartimi i Kuadrit Kombëtar të Biosigurisë”, projekt i cili ka për qëllim të përgatitë Shqipërinë për zbatimin e Protokollit të Biosigurisë ose Protokolli i Kartagjenës, për nder të vendit ku u aprovua ky protokoll, i cili tashmë është aprovuar nga vendi ynë, si dhe të hartojë një Kuadër Kombëtar të Biosigurisë. Protokolli i Kartagjenës përcakton kuadrin e parë ligjor ndërkombëtar në lidhje me lëvizjen ndërkufitare të OMGJ-ve, bazuar në parimin e përkujdesjes. Projekti ka një buxhet prej 185600 USD, ku 62500 USD është kontributi që do të jepet nga Ministria e Mjedisit dhe pjesa tjetër nga Fondi Global për Mjedisin, nëpërmjet Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara (UNEP), dhe ka një kohëzgjatje prej 18 muajsh. Konferenca nuk mund t'i japë zgjidhje problemeve dhe debatit që tashmë është hapur në vendin tonë, por do të tentojë të informojë me realizëm mbi situatën aktuale, në të cilën gjendet vendi ynë, shpërndarjen e informacionit mbi baza shkencore dhe jo dezinformuese, konceptimin e debatit të mendimeve pro dhe kundra mbi baze argumentimesh dhe të dhënash shkencore, si edhe do të hapë rrugën për vazhdimin e këtij debati edhe në ditët e mëvonshme. Kjo konferencë dha rekomandime dhe për sensibilizimin e publikut që të informohet publiku me të gjithë problemet e bioteknologjisë moderne dhe të dalë në pah reagimet e problemet që shikohen kryesisht nga komuniteti i fermerëve. Gjithashtu do të kërkohet që, nëpërmjet ekspertizës kombëtare, të hartohen të gjithe veprimet që kërkohen dhe kryesisht kjo do të tentohet për kuadrin ligjor.

OMGJ, lejojmë importin,

po s'kemi laborator

Lejojmë importimin e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht, por nuk kemi një laborator që të verifikojmë se sa të dëmshme janë këto prodhime për organizmin. Jemi të detyruar që t’i besojmë fletës së analizës së mallit shoqërues. Ngritja e një laboratori, përveç plotësimit të kuadrit ligjor dhe nënshkrimit të konventave është theksuar vazhdimisht. Debatet e para lidhur me futjen e OMGJ-ve nisën në tetor të vitit 2003, kur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbërritën në Portin e Durrësit një pjesë e 16 tonëve misër dhe sojë të modifikuar gjenetikisht, të cilat ishin donacione. Kësaj sasie iu bënë analizat jashtë shtetit dhe ato dolën të padëmshme për shëndetin e njeriut. Bërja e këtyre analizave nuk do të kushtoj pak për shtetin shqiptar, nëse ato do të vazhdojnë të bëhen jashtë, por, ndërkohë dhe ngritja e një laboratori të tillë, kushton shumë. Në këto laboratorë analizohet përbërja e ushqimit dhe efektet që shkakton te njeriu. “Tri janë pikat kryesore që vështirësojnë dhënien e një informacioni të saktë në këtë aspekt: Në Shqipëri nuk ka laborator modern për analiza të mirëfillta për problemet që lidhen me OMGJ-të. Deri më sot në vendin tonë nuk prodhohen të tilla produkte dhe vetëm në dy raste ka pasur import të tyre brenda vendit. Shqipëria ende nuk ka një Kuadër Kombëtar të Biosigurisë“, ka thënë në takimin e parë lidhur me këtë projekt, zhvilluar në korrik, ministri i Mjedisit, Et’hem Ruka.

Dëmet, nga alergji, ulçera,

por dhe fëmijë me defekte

Dëmet më të mëdha, që shkaktojnë më së shumti ushqimet e prodhuara nga produkte të modifikuara, janë lloje të ndryshme të alergjisë, gastrite dhe ulçera. Por, mjekët gjinekolog, dhe për lindjen e fëmijëve me anomali konginetale, akuzojnë jo vetëm ndotjen në mjedis, por edhe përdorimin e ushqimeve OMGJ. Shoqatat Ambientaliste dhe Shoqata e Bujqësisë Organike kanë kërkuar ndalimin e futjes dhe përdorimit në vendin tonë të OMGJ-ve, për një afat 5-vjeçar, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh, por u vendos që të nisë përgatitja për të sjellë produktet e modifikuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›