E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grekët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë

Nga Express më 06 qershor 2011 në ora 12:05

Mbi 250 mijë persona, sipas medieve greke, janë tubuar në sheshin Sintagma në Athinë, duke protestuar prej ditësh në mënyrë paqësore, për masat ekonomike që vazhdon të marrë qeveria greke nxitur nga treshja, për daljen nga kriza ekonomike që ka mbërthyer Greqinë.

Të gjitha rrugët rreth sheshit qendror ishin të mbushur me njerëz dhe mbetën të mbyllura.

Protestuesit janë të të gjitha moshave që kanë mbërritur nga ishujt, qytetet dhe fshatrat nga e gjithë bota, me aeroplanë dhe trena, për të qenë të pranishëm në një protestë shumë të gjatë dhe paqësore.

Disa prej tyre thonë se protestojnë për herë të parë në jetën e tyre dhe se nuk i përkasin asnjë partie apo organizimi politik.

Me parullat ku shkruhej fjala “Hajdutë!”, protestuesit iu binin bilbilave dhe tenxhereve dhe mbanin jo vetëm flamuj greke, por edhe spanjollë, irlandezë dhe portugezë.

Nuk kanë munguar në këtë protestë as incidentet mes protestuesve dhe policisë, sepse nuk mundën të kalojnë murin e forcave speciale që kishin bllokuar rrugën.

Protesta masive që ka nisur prej ditësh zhvillohet jo vetëm në Athinë, por edhe në qytete të tjera të Greqisë.

Mijëra persona janë mbledhur në qendër të qytetit të Selanikut, pranë Kullës së Bardhë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›