Ushtria izraelite në gjendje gatishmërie
Ushtria izraelite ka qenë e alarmuar përgjatë kufirit me Sirinë dhe territorin e Rrafshnaltës së Golanit, të pushtuar nga Izraeli, një ditë pas përleshjeve vdekjeprurëse me palestinezët dhe protestuesit sirianë në atë zonë.
Siria ka lajmëruar se 23 persona janë vrarë, kur trupat izraelite hapën zjarr ndaj qindra palestinezëve dhe përkrahësve të tyre nga Siria, të paarmatosur, që ishin duke marshuar në drejtim të rrethimit kufitar.
Izraeli theksoi se protestuesit u përpoqën që të kalonin kufirin. Ushtria izraelite gjithashtu e hedhë poshtë numrin e viktimave, duke thënë se zyrtarët izraelitë kanë njohuri për vetëm për 10 viktima, pa e specifikuar sa prej tyre kanë vdekur dhe sa janë lënduar.
Ushtria izraelite ka thënë se të gjithë viktimat janë shkaktuar nga minat tokësore, që shpërthyen kur protestuesit filluan të gjuajnë me koktej Molotovi.
Izraeli e ka akuzuar regjimin e presidentit sirian, Bashar al Assad, se po i orkestron protestat si ajo e së dielës, që të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare nga shtypja e përgjakshme që po i bënë revoltës popullore kundër udhëheqjes totalitare të tij.
Protesta e së dielës shënonte 44 vjetorin e nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, e nisur saktësisht në vitin 1967, kur Izraeli e okupoi Lartësinë e Golanit, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.