Grekët kthejnë klandestinët, policia kap trafikantët
GJIROKASTËR – Sërish një tjetër grup i përbërë nga tre shtetas shqiptarë janë ndaluar nga policia e Gjirokastrës pasi akuzohen se dy ditë më parë kishin trafikuar drejt Greqisë në mënyrë të paligjshme 9 shtetas, 4 prej të cilëve ishin gra. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai, pohoi se ditën e martë autoritetet greke kishin dorëzuar pranë stacionit kufitar të Kakavijës 9 shtetas. Pas marrjes në pyetje nga specialistët e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, rezultoi se shtetasit Mariglen Zelo, 25 vjeç, lindur dhe banues në Divjakë (Lushnjë), Lorenc Muhameti, 21 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Plesat (Gjirokastër), si dhe Behar Tafani, 41 vjeç, lindur dhe banues në Divjakë (Lushnjë), ishin autorët e organizimit të kalimit të paligjshëm të kufirit. Gjatë hetimeve paraprake rezultoi se tre trafikantët e qenieve njerëzore, kishin përfituar nga ky transportim i paligjshëm, rreth 18 mijë euro dhe kjo shumë ishte ndarë në mënyrë të barabartë midis njëri-tjetrit, pohoi Mullai, duke nënvizuar se arrestimi i tyre u bë për veprën penale “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit në bashkëpunim, kundrejt fitimit”.
Box 1
Dritat dhe turnet greke shtojnë radhët deri në 2 km
KAKAVIJË – Rikthehen radhët e gjata në kufirin me Greqinë, por kësaj radhe si argument është përdorur mungesa e energjisë dhe ndërrimi i turneve të shërbimit policor në vendin fqinjë. Burimet zyrtare në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës bëjnë të ditur se për gati dy orë është bllokuar puna për qarkullimin mes dy vendeve nga ndërprerja e energjisë, gjë që ka shkaktuar radhë të gjata me emigrantë. Gjithashtu, një shkak tjetër, i cili solli rëndimin e situatës, ka qenë edhe ndërrimi i turneve të policisë greke. Këto vonesa kanë krijuar radhë të gjata deri në 3 kilometra me automjete përpara pikës kufitare shqiptare, si dhe vonesa në kryerjen e procedurave. Kjo ka nxitur pikën kufitare greke që të vërë në eficiencë të plotë tre sportelet e shërbimit. Raportohet se e njëjta situatë e përkeqësuar ka qenë edhe në territorin grek. Mbrëmë vonë është lehtësuar fluksi i qarkullimit në pikën e kalimit mes dy vendeve.
SHKURT
Aksidenti, arrestohet shoferi i linjës Tiranë-Athinë
KORÇË – Aksidenti tragjik i ndodhur dy ditë më parë ka çuar në pranga shoferin e linjës ndërkombëtare të autobusëve Shqipëri-Greqi. Burimet zyrtare të policisë së Korçës bëjnë të ditur se është ndaluar shtetasi Mentor Leka, 35 vjeç, nga Kamza e Tiranës, për përplasjen e ndodhur në aksin rrugor Korçë-Devoll, ku gjeti vdekjen shtetasi Gazmir Grezhdani si pasojë e përplasjes së autobusit me fuoristradën, të cilën drejtonte viktima. Policia dyshon se shoferi i automjetit të linjës me Greqinë ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, duke qenë fajtor dhe jo Grezhdani. Për zbardhjen e ngjarjes kanë nisur hetimet.
Prangoset, qëlloi mbi banesën e fqinjit
SHKODËR – Pa kaluar as 4 orë, policia ka arrestuar 30-vjeçarin, i cili në shenjë hakmarrje, qëlloi me armë zjarri mbi banesën e fqinjit. Burime zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se në orën 23:45 të ditës së diel është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Marin Paloka, lindur dhe banues ne fshatin Beltojë të rrethit të Shkodrës. Sipas tyre, prangosja u bë “pasi, po më datë 9 mars, rreth orës 18:00, pas një konflikti për motive të dobëta që ka patur me një bashkëfshatarin e tij, ka marrë një armë të tipit pushkë dhe i është drejtuar shtëpisë së personit me te cilin ka pasur konfliktin, duke shtënë disa herë. Kjo ka sjellë reagimin e menjëhershëm të forcave të Rendit, të cilat janë nisur drejt fshatit Beltojë dhe kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të 30-vjeçarit Paloka, të cilit iu kap dhe iu sekuestrua edhe arma me të cilën qëlloi. Ndaj tij kanë nisur hetimet, pasi akuzohet “për armëmbajtje pa leje”, “kanosje” dhe “prishje të qetësisë publike”.
11 Mars 2008