E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: “Prioritet bashkëpunimi me institucionet e Kosovës”

Tiranë – “Qeveria e konsideron prioritet konkretizimin e të gjitha formave të bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës”, - u shpreh dje ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë një takimi me ministrin e Shërbimeve Publike të Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami. Zyra e Shtypit pranë Ministrisë së Brendshme bëri të ditur se ministri Nishani informoi z. Bajrami mbi nismat e qeverisë dhe institucionit që drejton për realizimin e reformave në administratën publike, ndër to edhe ngritjen e grupit ndërministror për hartimin e strategjisë ndërsektoriale “Për reformën në administratën publike”. Ministri Nishani paraqiti gjithashtu të dhëna mbi punën dhe funksionimin e Institutit të Trajnimit të Administratës Publike dhe Komisionit të Shërbimit Civil, e po kështu për ecurinë e procesit të regjistrimit të të dhënave për nëpunësit e administratës publike. Ministri i Shërbimeve Publike të Kosovës, Arsim Bajrami, shpjegoi punën e kryer në drejtim të përgatitjes së një ligji për shërbimin civil dhe mbi programet e trajnimit që po kryhen nga administrata publike e Kosovës, mundësuar nga institucione të BE-së. Sfida mjaft të mëdha, sipas ministrit Bajrami, janë modernizimi i teknologjisë së informacionit, regjistrimi i shpejtë i popullsisë dhe përafrimi i legjislacionit me Bashkimin Europian, për të cilin kërkoi ndihmën e drejtpërdrejtë dhe përvojën e Shqipërisë. Gjatë takimit u ra dakord për realizimin në një kohë sa më të shpejtë të takimeve në nivel ekspertësh për të gjitha fushat e bashkëpunimit.

Kapet me pistoletë pa leje, arrestohet 25-vjeçari

Tiranë – Mbante me vete pa leje një pistoletë “Mini Blou”, ndalohet nga policia. Burime policore thanë për gazetën se dje u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Florenc Hoxha, 25 vjeç, lindur dhe banues në Sauk Tiranë. Arrestimi i tij u krye nën akuzën “armëmbajtje pa leje”. Ndalimi i 25-vjeçarit u bë në afërsi të Sanatoriumit nga shërbimet e seksionit operacional të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në momentin e arrestimit atij iu kap një pistoletë tip “Blou mini”, mod - 2002, me një fishek në krehër, të cilën e posedonte pa leje. U kryen veprimet procedurale, ndërsa në cilësinë e provës materiale u bllokua pistoleta, krehri me fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës.

Vodhi dyqanin, ndalohet pas kontrollit të banesës

Tiranë – Kishte vjedhur një dyqan në Rrogozhinë, ndalohet nga policia. Burimet nga uniformat blu thanë për gazetën se dy ditë më parë u krye arrestimi në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë i shtetasit A. T., 15 vjeç, lindur dhe banues në Rrogozhinë. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të banesës, i janë gjetur, një telefon celular tip “Motorola”, 35 paketa me cigare, 10 çakmakë dhe 30 copë çamçakëzë, sende të cilat dyshohet se i ka vjedhur në një dyqan në Rrogozhinë. Të gjitha materialet e gjetura në banesën e tij janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Kavajës për hetime të mëtejshme për veprën penale të “vjedhjes”.

Pranga të miturit, vodhi një banesë në rrugën “Hodo Beg”

Tiranë – Vodhi banesën e një shtetasi, por vetëm pak ditë më pas policia e ka zbuluar dhe vënë në pranga. Burime të sigurta thanë për gazetën se dy ditë më parë u krye arrestimi në flagrancë nga seksioni Kundër Vjedhjeve të Tjera i shtetasit T. D., 17 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, i dënuar 3 herë më parë për vjedhje. Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se më datë 7 mars 2008 ka vjedhur banesën në pronësi të një shtetasi të ndodhur në rrugën “Hodo Beg” në Tiranë. U kryen veprimet procedurale, ku rezulton se ka vjedhur një telefon celular tip “Nokia” dhe një unazë, të cilat iu bllokuan në cilësinë e provës materiale. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i KP.

11 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›