Tritol në dyqanin e celularëve, dëmtohet edhe banka private
Shpërthim në qendër të Fushë-Krujës. Prishet lokali i Miklovan Zallmit. Dëmtohet edhe banka private ngjitur. Pista hetimi edhe për konkurrencë
Ardian Shpendi
FUSHË-KRUJË – Një shpërthim tritoli në një lokal celularësh ka tronditur qytezën e Fushë-Krujës në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku dyshimet e para janë hedhur për një “atentat” për shkak të konkurrencës, ndonëse nuk përjashtohen edhe pistat e tjera të hetimit. Burimet policore bëjnë të ditur se të paktën 200 gramë lëndë eksplozive janë vënë në dyqanin me pronar shtetasin Miklovan Zallmi rreth orës 01:30 të ditës së hënë. Shpërthimi ndodhi fare pranë një banke private dhe një blloku apartamentesh. Burime në grupin hetimor bëjnë të ditur se ende nuk ka persona të ndaluar, megjithëse kamerat e bankës ngjitur mund të ndihmojnë në zbardhjen e shpejtë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Ngjarja
Kur kishin kaluar 90 minuta nga fillimi i ditës së hënë, një shpërthim tritoli ndodhi në hyrje të derës kryesore të dyqanit të celularëve në pronësi të Miklovan Zallmit. Sipas burimeve zyrtare, pasi është vënë eksplozivi, autorët kanë ndezur fitilin zjarrpëcjellës dhe janë larguar me shpejtësi, duke përfituar edhe nga errësira. Brenda pak sekondave lënda eksplozive ka shpërthyer, duke dëmtuar pothuajse komplet lokalin e celularëve, gjë që ka sjellë edhe dëmtimin e të gjitha mallrave që ndodheshin brenda tij. Po kështu, shpërthimi ka dëmtuar edhe një pjesë të murit të bankës që ndodhej në afërsi të lokalit, disa shtëpi banimi si dhe pallatet përballë, duke iu thyer xhamat e dritareve. Qyteti i Fushë-Krujës ka përjetuar orë tmerri dhe paniku, ndërsa policia e Krujës mbërriti brenda pak minutash në vendngjarje, por pa mundur dot të gjejë autorët.
Hetimi
Ekspertët e policisë morën në pyetje Miklovan Zallmin, i cili thuhet se ka deklaruar se “nuk ka konflikte personale ose familjare me askënd”. Po kështu, pronari i lokalit është shprehur se nuk ka patur asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet telefonatave”. Burime zyrtare të policisë së Fushë-Krujës bëjnë të ditur se dy janë pistat ku po hetohet. E para është ndonjë konflikt i mundshëm i pronarit të lokalit me ndonjë person, ku pas pyetjeve që i janë drejtuar pronarit të lokalit, kjo pistë mbetet për t’u hetuar, por që nuk është bindëse. Ndërsa pista kryesore që po hetohet është ajo e konkurrencës, pasi pronari i lokalit ku është vendosur eksplozivi Miklovan Zallmi kishte një muaj e gjysmë që e kishte hapur këtë dyqan. Pronari i objektit të dëmtuar është me banim në Valias të Tiranës dhe lokalin e kishte marrë me qira. Vlera e dëmit të shkaktuar Zallmit përllogaritet të jetë rreth 2 milionë lekë.
11 Mars 2008