Masat e Policisë së Qarkullimit reduktojnë numrin e aksidenteve
TIRANË - Numri i aksidenteve rrugore në shkallë vendi ka ardhur duke u reduktuar në muajin shkurt, ku u regjistruan 63 aksidente me 15 persona të vdekur, nga 82 aksidente me 37 viktima që ndodhën në janar të 2008. Sipas specialistëve, kjo është bërë e mundur falë funksionimit në këtë periudhë të patrullave të lëvizshme, të drejtuara nga Drejtoria e Policisë Rrugore në të gjithë territorin e vendit. Vëmendja e policisë është përqendruar në vendosjen e rripave të sigurimit, si masë shumë të efektshme për parandalimin e pasojave që sjellin aksidentet automobilistike dhe përdorimin e dritave të shkurtra gjatë lëvizjes me automjete në të gjitha akset rrugore. Ndikim në uljen e numrit të aksidenteve mendohet se ka pasur edhe përmirësimi i kushteve atmosferike në të gjithë vendin. Përsa i përket kontrollit të rrugës nacionale Tiranë- Shkodër, e cila është cilësuar deri tani si mjaft problematike për numrin e lartë të aksidenteve të regjistruara në të, janë marrë masa specifike. Drejtoria e Qarkullimit rrugor i ka përqendruar shërbimet e Policisë Rrugore, kryesisht në akset rrugore problematike duke i hequr nga qendrat e banuara dhe duke përforcuar shërbimet e kontrollit. Gjithashtu ka dalë edhe një urdhër i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për ta mbështetur këtë rrugë me patrulla të lëvizshme të shërbimeve të Rendit, në bashkëpunim me ato të Policisë Rrugore.
11 Mars 2008