E Diel, 1 Nëntor 2026

Grekët masakrojnë shqiptarin se ngacmoi një vajzë në lokal

04/04/2011   Emigranti 21 vjeç, sherr në lokal me 4 grekët për vajzën. E therën kur doli jashtë

GREQI- Emigranti shqiptar, vetëm 21 vjeç, u masakrua pa mëshirë dje në Athinë nga 4 grekë. Lajmi mësohet nga mediat e shtetit helen, të cilat bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur dje, herët në mëngjes, në rrugën “Miauli” të zonës Psiri, pikërisht pranë qendrës së famshme antike të Akropolit. Viktima, një emigrant shqiptar 21-vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është qëlluar me sende të forta dhe u la në rrugë duke dhënë shpirt. Pak minuta më vonë, dërgimi në spitalin shtetëror të Athinës vetëm sa konfirmoi vdekjen e 21-vjeçarit shqiptar. Policia, pasi mblodhi dëshmi mbi ngjarjen, tha se viktima më herët gjendej në një lokal nate pranë Akropolit, së bashku me një shok. Në argëtim e sipër, dyshohet se i riu ka ngacmuar një vajzë, e cila gjendej aty. Më pas që të dy kanë dalë nga lokali, për të shkuar në shtëpi, pa e besuar kurrë se ç’mund t’u ndodhte. Ata janë sulmuar nga katër grekë, të cilët i kanë qëlluar me thikë duke therur 21-vjeçarin, kurse shoku i tij ka marrë plagë joserioze për jetën. Policia konfirmoi se katër grekët të dyshuar si vrasës, e kanë kryer aktin kriminal edhe pse nuk kishin asnjë lidhje me vajzën dhe as me viktimën apo shokun e tij. Për këtë shkak policia po heton për një krim racist, të nxitur nga incidenti mes njërit prej të rinjve dhe vajzës, në lokalin e natës. Vrasja ka ngjallur irritim në radhët e emigrantëve shqiptarë në Athinë. Shumë prej tyre janë shprehur se ishte një ekzekutim i pastër racist. Për më tepër edhe policia ka pranuar në një komunikatë se viktima dhe autorët nuk kishin asnjë lidhje, njohje të mëparshme apo përplasje dhe për më tepër, ata ishin të armatosur kurse i ndjeri, i pambrojtur. Lidhur me versionin që jep policia për vrasje në bashkëpunim nga katër grekët, të 21-vjeçarit, pasi ky i fundit ngacmoi një vajzë në lokalin e natës, edhe opinioni grek ka mbetur i dyzuar. Në vendin e ngjarjes ata kanë pohuar se nuk mundet kurrsesi që për një incident në bar nate, të kryhet vrasje në grup jashtë saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›