Universitetet, dokumentet që nevojiten për regjistrimin paraprak
Jonida Tashi
Regjistrimi i kandidatëve fitues për në universitet do të nisë në muajin shtator. Pasi të shpallet lista e fituesve me renditjen fillestare të të gjithë kandidatëve në programet e studimit (degët) përkatëse, duhet të bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive të universiteteve. Ministria e Arsimit, ka bërë të ditur se këtë vit, publikimi i emrave fitues, do të bëhet në fillim të muajit shtator, sipas kuotave të përcaktuara nga universitetet dhe të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
Procesi
Procesi i regjistrimit për të ndjekur studimet e larta nis nga regjistrimi paraprak, që është i detyrueshëm të kryhet brenda afatit kohor të përcaktuar nga MASH-i dhe nëse nuk kryhet, maturanti humbet të drejtën për të vazhduar më tej. Pas regjistrimit paraprak, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar për arsye të ndryshme dhe shpallet lista e re me fituesit përfundimtarë. Ata kandidatë, që në listën për regjistrimin përfundimtar do të jenë fitues në një program studimi tjetër nga ai i regjistrimit paraprak, duhet detyrimisht të ç’regjistrohen dhe të regjistrohen në programin e studimit ku kanë dalë fitues sipas listës përfundimtare. Nëse maturantët nuk bëjnë regjistrimin përfundimtar, humbasin të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë. Në të dyja rastet njoftimin se në cilën preferencë apo program studimi ka dalë fitues, maturanti e merr në shkollën e tij të mesme.
Vendet bosh
MASH-i sqaron se procesi i regjistrimit kryhet me dy faza,
për të mësuar vendet bosh si dhe për të evituar bllokimin e kuotave kërkohet regjistrimi paraprak. Sipas MASH-it, shumë maturantë të regjistruar për në IAL tona publike të shpallur fitues gjatë fazës paraprake, vendosin të konkurojnë për studime jashtë vendit dhe largohen. Ndërsa kandidatë të tjerë të regjistruar për në IAL tona publike vendosin të ndjekin studime në universitete private, por ka edhe kandidatë të tjerë që nuk dëshirojnë më të vazhdojnë studimet e larta. Të gjithë këta kandidatë lënë kuota vakante (vende bosh) të cilat plotësohen nga kandidatë të tjerë. Pikërisht, për të marrë këtë informacion dhe për të evituar bllokimin e kuotave kërkohet regjistrimi paraprak. Pas marrjes së këtij informacioni, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar paraprakisht brenda afatit kohor të përcaktuar.
Dokumentet për regjistrimin paraprak
Kandidatët fitues do të bëjnë regjistrimin e tyre paraprak në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues pranë sekretarive të Fakulteteve në muajin shtator në datat e përcaktuara nga MASH. Regjistrimi fillon nga ora 08.00 e mëngjesit deri në orën 18.00 të mbrëmjes.
Për regjistrimin paraprak, kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive dhe të dorëzojë dosjen individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme:
Dëftesë pjekurie
Dokument identifikimi dhe fotokopje të tij. Në dosje do të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit
Dy fotografi
Në kryerjen e procedurës së regjistrimit paraprak, sekretaritë e fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë, ku kandidatët fitues nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, duke shënuar datën dhe orën e regjistrimit
Sekretaria duhet ta pajisë kandidatin që bën regjistrimin paraprak me një fletë-regjistrimi-paraprak, ku të shënohet numri i regjistrit, emri i kandidatit, si dhe data dhe ora e regjistrimit
Fletë-regjistrimi-paraprak duhet të jetë i nënshkruar nga dekani dhe kryesekretarja e Fakultetit dhe e vulosur
Kandidatët që nuk e kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara për çfarëdo lloj arsyeje humbasin statusin e kandidatit për regjistrim përfundimtar
Në bazë të regjistrimeve paraprake të kryera dhe vendeve të paplotësuara, QPI, do të përgatisë listën përfundimtare të kandidatëve fitues
Listat përfundimtare të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike do t’u dorëzohen Institucioneve publike të Arsimit të Lartë, sipas programeve përkatëse të studimit, në fund të muajit shtator nga QPI.
Këto Institucione do t’i afishojnë listat në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse, po në fund të muajit shtator
18 Gusht 2008