E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grekët vajtojnë rrënimin e presidentit të FMN-së

26-05-2011 / “Eleftherotypia”

Ndërkohë që qeveria greke ishte bërë gati të hynte në bisedime për të marrë një hua të re me qëllim që t’i linte shëndenë krizës financiare, mungesa e francezit Dominique Strauss Kahn të Fondit Monetar Ndërkombëtar(FMN) ngjalli mjaft shqetësime në vend, ngaqë ai ishte njëri prej atyre që e kishin kuptuar mirë se ku qëndronte problemi i financave greke. Njëra nga pasojat më të rënda të ngjarjes që ndodhi në kryeqytetin amerikan pritet të ndikojë në eurozonë dhe veçanërisht në krizën financiare greke. Specialistët e këtij sektori janë të mendimit se të dyja këto probleme do të rëndohen edhe më shumë për shkak të mungesës së Dominique Strauss-Kahn (siç njihet rëndom DSK-ja) - një udhëheqës ndërkombëtar në një organizatë jo-Evropiane - e që njihet si njeriu që i ka kushtuar mjaft rëndësi problemeve me të cilat përballet si Evropa ashtu edhe Greqia. Vitin e shkuar, ai ishte i pari që iu përgjigj kërkesës së qeverisë greke për një ndihmë financiare, shumë kohë më parë sesa evropianët të vendosnin për strategjinë që duhej ndjekur pas bisedimeve të stërgjata me Gjermaninë. Ai ka bërë të pamundurën për të mirëkuptuar të gjitha problemet të cilat haste Greqia- ashtu si edhe disa prej vendeve të tjera të Jugut të kontinentit. Madje, shumë më tepër sesa disa prej qeverive që i përkasin Veriut të Evropës. Sipas disa burimeve, në takimin që ishte paraparë për t?u mbajtur më 15 maj, ai shpresonte të bindte kancelaren gjermane Angela Merkel se Greqisë i nevojitej më shumë kohë në dispozicion për të paguar huatë e marra për të shpëtuar nga tronditja financiare. Në fakt, ai ishte i vetmi që e kishte ngritur zërin lart, në mbështetje të kësaj kërkese të qeverisë greke të kryesuar nga kryeministri Papandreu. Për fatin tonë të keq, ky takim nuk u mbajt. Të nesërmen, DSK-ja kishte planifikuar të merrte pjesë në mbledhjen e ministrave e financave të vendeve të eurozonës, për të diskutuar një sërë zgjidhjesh si dhe për të marrë disa vendime të rëndësishme, gjer në mbajtjen e Takimit të Nivelit të Lartë Evropian, në muajin Qershor. Tashmë mund të thuhet se ky takim do të zhvillohet pa praninë e tij. Si një evropian dhe kandidat i mundshëm për zgjedhjet presidenciale të radhës në Francë, Dominique Strauss-Kahn ndihej i detyruar të shfaqte një interes më të madh për Evropën dhe për fatin e vendeve “të dobëta”, sesa ç’mund të shfaqë një udhëheqës jo-evropian i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Kjo tragjedi e beftë do të ketë pasoja veçanërisht në Greqi, ku shumë prej çështjeve që rrinin pezull ishte paraparë për t?iu dhënë zgjidhja e duhur: bisedimet me “Trojkën” e Komisionit Evropian (KE), Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe specialistët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në lidhje me pagesën e këstit të pestë të 110 miliard eurove të paketës së shpëtimit financiar në vazhdë, ndërkohë që bisedimet për lëvrimin e një huaje tjetër për Greqinë sapo kishin nisur. Tashmë, gjithçka do të vijojë pa praninë e lojtarit kryesor që ishte padyshim vetë DSK-ja. Koha do ta tregojë se në ç’masë do të ndikojnë ngjarjet në hotelin “SOFITEL” në Nju Jork, në rrjedhën e kësaj çështjeje mjaft të rëndësishme për fatin e grekëve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›