Rama: Çdo parti do marrë votat e veta në 2009
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama tha dje se çdo parti do testohet nga votuesit më vete, në zgjedhjet e përgjithshme të 2009, edhe pse mund të jenë në koalicione të përbëra. Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë një interviste në studiot e BBC në Londër. "Të gjitha partitë do të votohen më vete, qofshin të majta apo të djathta, të qenurit në koalicion nuk do të thotë që do të ketë një votë të përbashkët. Votat do të jenë të përveçme dhe qofshin në koalicion apo jo, do të kërkojmë votën për Partinë Socialiste, për programin e saj, për një mënyrë të re për ta qeverisur Shqipërinë dhe votuesit të zgjedhin atë parti që u garanton më shumë ndryshimin, më shumë lidhjen mes fjalës dhe veprës, u garanton më shumë të sotmen dhe të nesërmen, për veten dhe fëmijët e tyre", tha Rama. Duke iu përgjigjur akuzave të Kryeministrit Berisha në adresë të opozitës, Rama tha që më mirë të mos merremi me Kryeministrin Berisha si një pikë referimi. "Kryeministri është aty për t'u përgjigjur dhe për të dhënë llogari para shqiptarëve, lidhur me kontratën që ka nënshkruar me ta në vitin 2005 dhe jo për të kërkuar llogari nga opozita, e cila është në krye të detyrës. Ne, unë personalisht, e kemi braktisur skenën e politikës së vjetër të kacafytjes, të sherreve dhe të nxitjeve mes njerëzve për interesat e ngushta për pushtet të një grushti njerëzish dhe kemi zbritur aty ku njerëzit jetojnë me një dialog të madh", tha Rama.