Greqi, 12 kreditorët privatë më të mëdhenj falin borxhin

Ministri grek i Financave, Venizelos
Venizelos: Nëse nuk nënshkruajnë 75% e kreditorëve, mund ti detyrojmë.
Kreditorët privatë të Greqisë do ta pranojnë marrëveshjen e faljes së 53,3 për qind të borxhit, mbi 100 miliardë euro, dhe, nëse kjo nuk ndodh, qeveria greke është e gatshme të aprovojë të gjitha ligjet e mundshme për ti detyruar ata. Kështu u shpreh ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, i cili shtoi se Kjo është marrëveshja më e mirë e mundshme, sepse nuk ka asnjë marrëveshje tjetër në tryezë. Deklarata e Venizelos për televizionin Bloomberg u bë dje nga Athina. BE po përballet me testin e parë në këtë tentativë për të kthyer faqe për krizën dyvjeçare të borxhit të Greqisë, ndërsa 12 nga investitorët privatë të saj, më të mëdhenjtë e grupit, tashmë kanë vendosur se do ta nënshkruajnë marrëveshjen. Afati i fundit për këtë është 8 marsi. Kjo është një javë kritike, tha Venizelos. Mes dymbëdhjetë bankave dhe investitorëve janë Banka Kombëtare Greke SA (ETE), BNP Paribas (BNP), Commerzbank AG (CBK) dhe Deutsche Bank AG, konfirmimi i tyre u bë me një deklaratë e-mail dërguar nga Instituti Internacional i Financave. Deri tani thirrje për ta refuzuar këtë marrëveshje është bërë nga një tjetër investitor gjerman, DSW. Qeveria greke ka vendosur një prag prej 75 për qind për pjesëmarrjen mbi procedimin me transaksionet, në të cilat investitorët do të falin 53.5 për qind të kapitalit dhe do të shkëmbejnë mbetjet e aksioneve të tyre me bono të reja nga qeveria greke dhe lehtësime nga Lehtësimi i Stabilitetit Financiar Europian (EFSF). Ministrat e Financës së eurozonës javën e kaluar autorizuan EFSF të lëshojë bono për këtë shkëmbim. Pas nënshkrimit të marrëveshjes më tetë mars, ministrat e Financave të eurozonës do të mbajnë një telekonferencë më 9 mars, për të rishikuar çka ardhur nga marrëveshja.
Ndërkohë në Greqi po diskutohet edhe mbi mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ku data përfundimtare ka gjasa të jetë 29 prilli ose 6 maji. Sipas gazetës Kathimerini, Kryeministri Papademos e ka informuar presidentin e KE-së, Hose Manuel Barroso, për një marrëveshje midis tij dhe liderëve të partive që mbështesin qeverinë, që zgjedhjet të mbahen më 29 prill ose 6 maj. Deri tani është raportuar se ka pasur presion nga Europa për shtyrjen e datës së zgjedhjeve për pak muaj, në mënyrë që të përfundohen hapat për të cilët është rënë dakord me Trojkën.
Papandreu në burg
Grekët fajësojnë ish-kryeministrin Jorgo Papandreu për krizën financiare në vend dhe, sipas një sondazhi, 74 për qind e tyre duan që ai ta paguajë me burg këtë, i dënuar nga një gjykatë e posaçme. Sondazhet e organizuara nga kompania ALCO, publikuar në faqen e uebit newsbomb.gr, tregojnë se 8 nga 10 grekë besojnë se ish-kryeministri Papandreu shiti sovranitetin e Greqisë dhe 6 nga 10 grekë besojnë se Kryeministri aktual, Lukas Papademos, mbron interesat e kreditorëve të Greqisë.