Mijëra rusë, në protesta kundër fitores së Vladimir Putinit
Policia ruse ka arrestuar të paktën 100 persona në protestat e organizuara për të kërkuar dorëheqjen e Vladimir Putinit, pasi ata i konsiderojnë zgjedhjet e fundit të padrejta e të manipuluara në favor të tij. Putin tha se ai ka fituar një garë të drejtë, ndërsa protestuesit në sheshin Pushkin të Moskës thërrisnin Rusia pa Putinin. Zgjedhjet e tyre janë një farsë, tha një lider i opozitës, Vladimir Ryzhkov. Në sheshin Pushkin nuk janë bërë arrestime, pasi tubimi ishte me leje. Policia tha se në të morën pjesë rreth 14 mijë njerëz, por opozita tha se ishin të paktën 20 mijë veta. Por, sipas njoftimeve të Policisë së Moskës, rreth 50 persona u ndaluan në një tjetër protestë pa leje në sheshin Lubjanka, ku ndodhen zyrat e ish KGB-së. Sipas një reporteri të Reuters, në qytetin verior Shën Petersburg policia ka arrestuar 50 aktivistë të tjerë. Mbështetësit e Putinit u mblodhën para Kremlinit duke valëvitur flamuj ku ishte shkruar Putini është Presidenti ynë. Rezultatet zyrtare të shpallura dje treguan se Putin ka fituar 63.6 për qind të votave të dielën. Sipas KQZ-së ruse, komunisti Genadi Zuganov mori 17.9 për qind të votave, Mikhail Prokhororv 7.82 për qind, Vladimir Zhirinovski 6.23 për qind dhe Sergej Mirnov, 3.85 për qind të votave.