Këshilli Bashkiak i Shkodrës kërkon 700 milionë lekë investime
Tashmë Shkodra, me anën e administrimit të buxheteve ka edhe fonde shtesë, të cilat po tentohet të bëhen investime kryesisht në rrugët dytësore të saj. Mbledhja jashtë radhe për infrastrukturën, ku kërkohen 700 milionë lekë për investime është pritur me një farë dëshire për investime në Bashkinë e Shkodrës. Këshilli Bashkiak i Shkodrës, në një mbledhje të veçantë, jashtë radhës, ka miratuar detajimet e buxhetit shtesë për vitin 2009, një shumë prej mbi 700 milionë lekësh, të siguruara nga tepricat e investimeve të vitit 2008.
Kjo pikë e shoqëruar me relacionin përkatës, ka pasur diskutime për disa shtesa që nuk ishin parashikuar në rikonstruksionin e rrugës, Hardhitë e Egra, rruga e Draçinit dhe rruga "30 korriku". Kreu i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka e ka argumentuar mungesën e disa rrugëve në këtë relacion, me faktin se, për rrugët dytësore do të ndiqet politika e bashkëpunimit me komunitetin, sikurse ka rezultuar e suksesshme edhe më përpara. Luka ka theksuar se rrugët që po përfitojnë nga shtesa në buxhet janë rrugë dytësore për të cilat ndiqet politika e bashkëpunimit Bashki-Komunitet, ashtu siç është bërë me sukses në disa rrugë të qytetit. Në rast se komuniteti nuk përgjigjet, bashkia nuk mund t'i detyrojë banorët që të bashkëpunojnë ka theksuar kryebashkiaku Luka. Shuma prej 700 milionë lekësh, ka dalë jo vetëm nga mbetjet e shumës totale të investimeve të realizuara gjatë vitit të kaluar në infrastrukturën rrugore, por edhe nga sigurimi i të ardhurave nga firmat kontraktuese për realizim investimesh, vlera 3 për qind e taksës për studimet urbanistike, si dhe nga të ardhurat e siguruara nga zyra e urbanistikës për investimet në ndërtim. Në këtë drejtim, Bashkia e Shkodrës nën administratën Luka është më e mira gjatë të gjithë këtyre viteve të tranzicionit. Por Shkodra ka një karakteristikë të ndryshme nga qytetet e tjera të vendit. Shkodra ka shumë rrugica të vogla që kërkojnë fonde të herëpashershme dhe mund të thuhet se sado të kesh buxhet është pothuaj e papërballueshme. Në fakt ka disa suksese në bashkëpunimin me banorët e rrugëve dhe janë shtruar disa rrugë në mënyrë të tillë. Sidoqoftë, për tre vitet e fundit Shkodra ka shtruar gjashtë herë më shumë rrugë të brendshme të saj se gjatë gjithë periudhës tjetër të kaluar dhe ky mund të konsiderohet sukses. Përveç kësaj janë shtruar dhjetë herë më tepër trotuare dhe ndriçimi është më i mirë, por edhe kanalizimet po ashtu në çdo investim rrugor. Po kështu janë bërë katër rreth rrotullime të rinj dhe mungesa e vetme janë semaforët ku Shkodra është qyteti i madh pa asnjë semafor në funksion në Shqipëri. Sidoqoftë, sot në Shkodër punohet në infrastrukturë dhe kontrolli për cilësinë është ai që duhet të jetë më i fortë dhe i vazhdueshëm.
Last Updated on Friday, 17 April 2009 03:25
Last Updated on Friday, 17 April 2009 03:25