E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëm 12.4 % e ankesave ndaj OSSH-së janë për mbifaturimin e energjisë

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes të energjisë elektrike (OSSH) i  ka kushtuar vëmendje kryesore ankesave të qytetarëve lidhur me faturimin e energjisë elektrike, duke synuar të vendosë besimin mes kompanisë dhe konsumatorit. Burime zyrtare nga OSSH bënë të ditur se "në tre muajt e parë të vitit, në të gjithë vendin janë paraqitur 8975 ankesa që lidhen me faturën, me matësin apo lidhjen e kontratës". Sipas burimeve, pjesa që prek direkt buxhetin e qytetarëve, mbifaturimi, faturimi aforfe dhe leximi i pasaktë zë vetëm 12.4 për qind të të gjithë ankesave në të gjithë vendin. Drejtori i Departamentit të Shitjeve pranë OSSH-se, Ilirjan Shkëmbi, duke u bërë thirrje konsumatorëve të punojnë së bashku për zgjidhjen e problemeve, shprehet se "për shkak të mirëmenaxhimit të kompanisë, krahasuar me një vit më parë, furnizimi i konsumatorëve me energji është përmirësuar, çka ka sjellë edhe rritjen me 5 për qind të konsumit". Shkëmbi kërkoi që të gjithë qytetarët, abonentët dhe konsumatorët e OSSH-së t'i drejtohen çdo njesie, drejtorie apo grupi operativ, ku ka një personel, i cili ndjek, trajton dhe u jep zgjidhje e përgjigje këtyre ankesave. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, një problem që duket se nuk po merr zgjidhje nga ana e OSSH-së është mosmarrja e faturës së energjise elektrike nga qytetarët, çështje që zë 61 për qind të të gjitha ankesave të konsumatorëve. Burimet zyrtare të OSSH-së bënë të ditur se kjo çështje do të mbetet në këtë gjendje për sa kohë posta shqiptare, që shpërndan faturat, të mos përmirësojë cilësinë e shërbimit të saj.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›