E Diel, 1 Nëntor 2026

Kirurgu i Spitalit të Burgut del i pafajshëm nga gjykata

17/11/2009  U arrestua për ryshfet, disa muaj më parë

TIRANË- Ardian Nela, kirurgu i Spitalit të Burgut, mori dje pafajësi nga gjykata e Tiranës. Për të arritur në këtë përfundim, Nela i ishte drejtuar gjykatës më parë duke pretenduar se ndaj tij ishte ngritur një kurth. Por dje gjyqtari i çështjes pasi mori në cilësinë e provës të gjitha materialet e Prokurorisë dhe ato të akuzës, arriti në përfundimin se doktori kirurg, Ardian Nela është i pafajshëm. Gjykata e argumentoi këtë vendim me mungesën e provave bindëse dhe me faktin tjetër se në të dy rastet ku përmendet se ai ka marrë ryshfet nuk del e provuar se paratë janë marr nga ana e tij. “Në të dy rastet personat që kanë derdhur paratë në emër të kirurgut Ardian Nela, kanë shprehur këtë dëshirë më parë”, thuhet në vendimin e gjykatës. Pra, nuk vërtetohet fakti se Nela ka marrë ryshfet në këmbim të kryerjes së një operacioni. Ardian Nela u hetua dhe gjykua në gjendje arresti shtëpiak. Ndërkohë që prokurori i çështjes ishte më i ashpër në kërkesën e tij për Ardian Nelën. Ndonëse Prokuroria u shpreh se nuk ishin përballë fakteve që rëndonin pozicionin e prokurorit, ajo i tha gjykatës në konkluzionet përfundimtare se Nela duhet të pezullohet nga detyra e kirurgut. Kundër kësaj kërkese ishte avokati mbrojtës i tij, i cili pretendoi se klienti i tij në asnjë rast nuk ka kërkuar ryshfet dhe për të dyja ato rastet që akuzohet, familjarët i janë ofruar dhe i kanë dhënë me dëshirë. Ardian Nelaj është shprehur dje në gjykatë se nuk ka marrë ryshfet kundrejt ndonjë operacioni dhe në rast se ka pranuar të holla nga qytetarët këtë e ka bërë me dëshirën e tyre e jo të ketë qenë ai i pari që ka kërkuar para. Nela ka thënë gjithashtu në gjykatë se profesioni i mjekut tashmë është i akuzuar pa filluar punë mirë. Ndërkohë që paratë e gjetura në llogari të tij shumat prej 545 000 lekësh, 760 euro dhe 100 dollarë tha se i ka pasur prej vitesh nga puna që ka bërë si kirurg.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›