E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikonin veprat e artit, arrestohet përgjegjësi i Muzeut në Berat dhe dy persona



Vidhnin dhe trafikonin vepra arti në drejtim të shteteve të tjera, që u sillnin një përfitim prej miliona lekësh, por që kanë dëmtuar në mënyrë të pandreqshme trashëgiminë kulturore shqiptare. Një biznes i cili kishte që nga viti 1997 që kishte filluar, gjatë një periudhe ku rastet e ngjashme kanë qenë të shpeshta, që kanë dëmtuar shumë vlerat kulturore shqiptare, për shkak të vjedhjeve barbare të kryera. Policia e Shtetit vuri në pranga tre persona pas një aksioni të zhvilluar ditën e djeshme. Agjentët organizuan operacionin “Onufri”, ku arrestuan drejtorin 63-vjeçar Sami Starova, nga Berati, me detyrë përgjegjës i Muzeut Etnografik Kombëtar të qytetit dhe djalin e tij, 30-vjeçarin Mirel Starova. Gjithashtu, u ndalua 41-vjeçari Bujar Dine, lindur në Fier e banues në Stamboll, me shtetësi shqiptare e turke, i proceduar penalisht.

Hetimet

Pas një hetimi të nisur prej disa muajsh nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin për Hetimin e Krimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, u finalizua operacioni i koduar “Onufri”, ku u zbulua skema e trafikimit të veprave të artit dhe u vunë në pranga tre prej trafikantëve. Sipas burimeve nga policia, janë sekuestruar edhe një sërë pikturash, statuja me vlerë, monedha të vjetra e objekte në qeramikë. Skema për mënyrën se si tre të ndaluarit vepronin ishte e thjeshtë. Veprat e artit, pasi arrinin që të merreshin e të fshiheshin, dërgoheshin për në Turqi e në shtete të tjera. Një rol me rëndësi për funksionimin e skemës ka pasur edhe përgjegjësi i Muzeut Etnografik Kombëtar të Beratit, i cili nëpërmjet punës së tij, arrinte të binte në gjurmë të veprave me vlerë të lartë financiare, e me rëndësi për kulturën shqiptare. Djali i tij, por edhe 41-vjeçari Dine, kishin për detyrë transportimin e këtyre veprave jashtë vendit. Përfitimi që tre të ndaluarit merrnin ishte i një sasie të konsiderueshme parash, ndërsa veprat e vjedhura, pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare, humbitnin përgjithnjë nga vendi që ishin krijuar. Sipas burimeve nga policia, gjatë këtij operacioni janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale monedha të ndryshme, dy statuja prodhim në qeramikë dhe gur, si dhe disa ikona dhe piktura të vjetra, që konsiderohen trashëgimi kombëtare. Ndërkohë, strukturat e policisë vazhdojnë hetimet për gjetjen e bashkautorëve të mundshëm. Tre të ndaluarit janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, ndërkohë që materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›