E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Nishani, takim me ambasadorët e BE-së për reformën legjislative



Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, u shpreh se institucioni që ai drejton është angazhuar në përmbushjen me vizion të qartë dhe ritëm të lartë të të gjitha funksioneve të saj, ku rolin më të rëndësishëm e ka zënë reforma në drejtësi. Deklarata e numrit një të Drejtësisë u bë në një takim me ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë. Më tej, ministri i informoi të ftuarit në detaje mbi masat e marra me karakter ligjor, institucional dhe administrativ, të cilat “synojnë forcimin e shtetit ligjor, rikthimin e besimit të qytetarëve te drejtësia, luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe transparencën e punës së organeve të drejtësisë”. Pas daljes së progres-raportit, Ministria e Drejtësisë ka filluar punën për draftimin e Strategjisë për Reformën në Drejtësi, e cila do të përcaktojë në mënyrë të qartë dhe të detajuar qëllimet, parimet dhe planin konkret të veprimit mbi nismat legjislative dhe masat ekzekutive për reformimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë. Parashikohet që strategjia të ketë kaluar të gjitha etapat e konsultimit dhe miratimit brenda vitit 2010. Në takim, ambasadorët e uruan ministrin për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit si vend anëtar në Bashkimin Evropian, si dhe e përgëzuan për progresin e arritur në integrimin e kuadrit ligjor vendas në përputhje me atë evropian.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›