Greqi, asgjësohet një bandë kriminale shqiptarësh
Të arrestuarit akuzohen për vjedhje të ndryshme banesash dhe për shfrytëzimin e një 18-vjeçareje për prostitucion
GREQI- Policia greke ka asgjësuar një bandë kriminale shqiptarësh, të akuzuar për dhjetëra vjedhje shtëpish, zyrash, makinash luksoze dhe për trafik droge dhe femrash. Lajmi është bërë publik përmes një deklarate të policisë greke, e cila ka sqaruar se deri në zbulimin e bandës është dashur një operacion i detajuar për ndjekjen dhe përgjimin e tyre. Sipas policisë, ata janë arrestuar në shtëpitë ku banonin në Neo Kosmo dhe Virona. "Në pranga janë vënë pesë anëtarë të këtij grupi",- thonë burimet policore, që nuk bëjnë të ditur emrat e të ndaluarve, por vetëm moshën e tyre. Nga të arrestuarit, sipas policisë greke, katër persona meshkuj janë të moshës përkatësisht 43, 42, 26 dhe 17 vjeç. Mes të arrestuarve është dhe një vajzë 18-vjeçare. "Të gjithë të arrestuarit janë nga Shqipëria",- sqarojnë burimet policore.
Veprimtaria e tyre kishte më se tre muaj që kryhej në mënyrë sistematike. Madje, gjatë hetimeve policore rezultoi se ndryshonin mënyrat e vjedhjes në çdo rast, apo zonat në të cilat vepronte banda. Të arrestuarit kanë pranuar se prej 15 tetorit kanë kryer 10 bastisje në 9 shtëpi dhe në një klinikë në zonat e kryeqytetit grek. Shumë prej vjedhjeve ata i kishin kryer në momentet kur banorët ndodheshin brenda shtëpive të tyre, duke marrë prej andej shuma parash, karta krediti, sende me vlerë, pajisje elektrike edhe çelësat e makinave. Në këtë mënyrë bënin me lehtësi edhe vjedhjen e tyre. "Më pas i parkonin makinat e vjedhura në zonat e Vironës dhe Pagratit dhe i shisnin tek shqiptarët e tjerë, që banojnë në Greqi për 1000 deri në 1500 euro secilën",- thonë burimet policore.
Sipas policisë, vetëm në zonën Papagu kishin vjedhur një makinë në të cilën kishte brenda edhe vegla muzikore me një vlerë prej 4000 eurosh. Në veprimtarinë e tyre përdornin dy makina dhe një motor, të cilat i ndryshonin sipas rasteve për të mos rënë në sy. Ndërkohë, gjatë kontrollit që iu bë në banesa në momentin e arrestimit, atyre iu gjetën gjithashtu orë të markave të ndryshme, aparate fotografike, kamera, televizorë, kompjutera, telefona celulare, vegla muzikore, rreth 18 kg hashash të paketuar në pako një kilogramshe, 11000 euro si edhe një pistoletë me silenciatorbashkë me një karikator me fishekë. Gjate marrjes në pyetje në hetuesi, një prej të arrestuarve pranoi faktin që shfrytëzonte 18-vjeçaren, duke e hedhur në rrugën e prostitucionit, në një prej shtëpive publike të Athinës. Policia vazhdon hetimet për arsye se dyshon që mund të ketë edhe persona të tjerë në këtë grup dhe sidomos për të zbuluar një bashkëpunëtor, edhe ai shqiptar, i cili dërgonte disa prej sendeve të vjedhura në Shqipëri.