Prokuroria nis hetimet për zhdukjen e ndihmave në azil
Gjirokastër, thasët me ndihma për të moshuarit u zhdukën brenda orës. Të moshuarit e drejtoria akuzojnë shefen e financës
GJIROKASTËR- Shpërthen skandali në shtëpinë e të moshuarve në qytetin e Gjirokastrës. Zhdukja pa lënë gjurmë e një sasie të konsiderueshme ndihmash të mbërritura për banorët e kësaj shtëpie, përveçse prej shumë kohësh është kthyer në një mollë sherri, është bërë shkak që të bllokohet prej një jave puna në institucion. Të moshuarit kërkojnë zbardhjen e çështjes dhe largimin e menjëhershëm të shefes së financës, të cilën e cilësojnë si shkaktaren e situatës, pasi në të kundërt kërcënojnë me izolim. E teksa drejtorja e azilit dhe shefja e financës akuzojnë njëra-tjetrën, çështjen e kanë marrë në dorëzim organet hetimore.
Protesta
53 banorët e shtëpisë së të moshuarve në Gjirokastër kanë organizuar dje një protestë, në të cilën kanë kërkuar me ngulm largimin e shefes së financës së këtij institucioni, Klodiana Qirushi, të cilën e akuzojnë si shkaktaren e të gjitha problemeve që prej kohësh i shqetësojnë ata si dhe si autoren e zhdukjes së një sasie të madhe ndihmash të mbërritura për ta nga fondacioni "Shpresë për Shqipërinë". Ndërkaq, ata nuk kanë ngurruar të kërcënojnë edhe me izolim, nëse nuk merren masa të menjëhershme për zgjidhjen e këtij problemi. "Të gjitha sa kanë ndodhur këtu janë shkaktuar nga shefja e financës, e cila nuk është e përkushtuar ndaj punës. Ne kërkojmë largimin e menjëhershëm të saj, pasi nëse nuk ndodh kjo gjë do të izolohemi. Nuk e themi për presion, prandaj i lutemi qeverisë, shtetit, organizmave ndërkombëtare që të na mëshirojnë dhe të mos na lëmë të vdesim",- është shprehur për gazetën "Shekulli", Myftar Goxhaj, kryeplak i shtëpisë së të moshuarve. Kërkesa për largimin e financieres ka qenë unanime nga të 53 banorët e kësaj strehe, sipas të cilëve megjithëse u janë dërguar me shkresa organeve kompetente për këtë çështje, askush nuk ka ndërhyrë për zgjidhjen e saj. "Kutitë erdhën në pasdite vonë, ishte një kamion i madh dhe për tre orë me radhë mezi u shkarkua, e kanë shkarkuar këta pleqtë e shkretë. U vunë në fillim në katin e parë dhe më pas i ngjitën lart. Të nesërmen na kërkuan që të thoshim që malli nuk kishte ardhur fare",- është shprehur një tjetër e moshuar.
Ndihmat
Informacionet zyrtare të marra pranë shtëpisë së të moshuarve bëjnë të ditur se ndihmat ishin dhuratë e fondacionit "Shpresë për Shqipërinë" me qendër në fshatin Prush të rrethit të Tiranës dhe ato mbërritën në këtë institucion në datën 16 korrik të këtij viti. Por nga dhjetëra kutitë e thasët e mbushura me veshmbathje, batanije, artikuj shtëpiakë etj, e të cilat u morën me firmë pa kaluar 12 orë u zhdukën pa nam dhe pa nishan. 25 kuti me artikuj shtëpiakë, 10 kuti me lord, 45 thasë me çarçafë, 15 thasë me mbulesa e peceta, 60 batanije, 20 thasë me veshmbathje, 15 jastëkë si dhe 3 karrige kanë qenë ndihmat e destinuara për të moshuarit e braktisur por që këta të fundit nuk arritën t'i gëzonin asnjëherë. Pikërisht zhdukja e tyre u bë shkak për një lumë akuzash të njëpasnjëshme që banorët dhe drejtorja, Vjollca Çekani, i kanë adresuar shefes së financës, Klodiana Qirushi dhe anasjelltas, por të gjitha palët kërkojnë zbardhjen e ngjarjes. Ndërkaq, prej pak kohësh çështja i ka kaluar për hetime të mëtejshme Zyrës së Krimit Ekonomik dhe Prokurorisë së Gjirokastrës, të cilat priten të thonë fjalën e fundit në lidhje me këtë problem.
Akuzat
Ndihmat u zhdukën brenda natës, askush s'mban përgjegjësi
Sipas drejtores së shtëpisë së të moshuarve, Vjollca Çekani, është shefja e financës përgjegjëse për këtë çështje. "Revolta e të moshuarve lindi pas zhdukjes së ndihmave të mbërritura në 16 korrik. Të nesërmen nuk gjetëm më asgjë dhe askush nuk e mori përsipër përgjegjësinë. Prej pak ditësh kam mbyllur lavanterinë dhe magazinën dhe deri sa të kryhet një inspektim i plotë i këtyre dy ambienteve nuk do t'i hap, pasi prej gjashtë muajsh jemi në kontradikta të vazhdueshme. Kërkoj zbardhjen e ngjarjes dhe të autorëve",- është shprehur drejtorja Vjollca Çekani. Nga ana tjetër, edhe financierja Klodiana Qirushi ka kërkuar të njëjtën gjë. "Të nesërmen e ditës së mbërritjes së ndihmave nuk kam qenë në punë, erdha të pasnesërmen. Më kërkoi përgjegjësja e materialeve që t'iu bënim hyrje mallrave, po nuk gjetëm asgjë. Madje nuk arritëm as të nxirrnim vleftën e tyre, pasi ndihmat u zhdukën për tërë natën. Tashmë çështjen e kanë marrë në dorë autoritete të tjera dhe unë kam besim te drejtësia. I jam drejtuar me një letër edhe kryeministrit Sali Berisha",- ka theksuar Qirushi. E.