E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi në familje, akuzat e Nishanit për drejtësinë

Ministri i Brendshëm pohoi se autorët e këtyre krimeve janë arrestuar më parë nga policia, por liruar nga gjykatat
TIRANË- Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka akuzuar dje prokurorinë dhe sistemin e drejtësisë për lirimin e personave, që më pas kanë kryer krime të rënda brenda familjes. "Policia ka arrestuar shumë autorë dhe ka paraqitur prova të mjaftueshme për t'i fajësuar ata, por personat janë lënë të lirë nga agjencitë e tjera, duke mbetur një potencial shumë i rrezikshëm për qytetarët",-ka thënë dje Nishani, gjatë analizës vjetore të Departamentit për Hetimin e Krimeve, duke na bërë me dije se shumë prej autorëve të krimeve brenda gjakut kanë qenë të arrestuar, por më pas janë lënë të lirë. Megjithatë, Nishani deklaroi se policia duhet të marrë masa për të parandaluar krimet në familje. Sipas ministrit të Brendshëm, vartësit e tij nuk duhet të presin denoncimet e qytetarëve, por duhet të jenë të disponueshëm për të thithur informacione për konfliktet në familje, me qëllim neutralizimin e tyre. "Krimi brenda familjes mbetet një fenomen shqetësues",- deklaroi ai, shqetësim ky që u pasua edhe në deklaratën e drejtorit të Përgjithshëm, Ahmet Prençi.
Krimet e vjetra...
"Grupet kriminale janë të mirorganizuara dhe shfrytëzojnë çdo terren apo mundësi për të ushtruar veprimtarinë e tyre kriminale. Ata janë në një nivel të lartë, ndaj dhe strukturat e policisë duhet të kërkojnë metoda për të rritur nivelin goditës të grupeve kriminale",-u ka kërkuar ministri vartësve. Ndërkohë, gjatë analizës së departamentit për hetimin e krimeve, Nishani vlerësoi punën e bërë gjatë këtij viti me zbulimin e vrasjeve, plagosjeve të rënda dhe grabitjeve. Megjithatë,ai kërkoi që me këtë intensitet pune, strukturat e policisë të arrijnë të zbardhin edhe ngjarjet e mbartura në vite, apo siç quhen ndryshe ngjarjet e vjetra. "Zbulimi i krimeve të vjetra duhet të jetë një prioritet i rëndësishëm për policinë në vitin 2008",- u shpreh Nishani duke shtuar se gjatë vitit 2007 janë zbuluar shumë ngjarje të vjetra gjë e cila nuk ishte kryer më parë. Gjithashtu ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi se strukturat e policisë duhet të bashkëpunojnë me agjencitë e tjera me qëllim dënimin e çdo personi që konsumon një vepër penale. "Ajo që unë kërkoj për vitin në vazhdim është forcimi i bashkëpunimit me agjencitë e zbatimit të ligjit, sepse në këtë mënyrë jo vetëm që rriten rezultatet e punës suaj, por rritet edhe besimi që krijon komuniteti në punën e policisë",- pohoi Nishani.
Grupet e organizuara
"Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar ka realizuar 34 operacione në fushën e luftës kundër drogës, ajo e krimeve të rënda ka zhvilluar 20 operacione kundër grupeve kriminale me tendenca të mprehta. Ndërsa Drejtoria Kundër Krimit Ekonomik e Financiar ka zhvilluar 10 operacione në shkallë kombëtare dhe rajonale"- pohoi gjatë analizës drejtori Agron Kuliqi. Ndërkohë, gjatë këtij viti, departamenti për hetimin e krimeve ka mundur të zbulojë autorët e dy masakrave të ndodhura 10 vite më parë.Operacioni "Autoblinda" goditi grupin kriminal të Cerrikut, ku u arrestuan 9 persona dhe operacioni "Mars" zbuloi 12 autorë, 7 prej të cilëve u arrestuan. Këta të fundit akuzohen për ngjarjen e ndodhur në Sarandë, ku është vrarë oficeri i policisë Gjergji Mehmeti dhe marrë peng e torturuar punonjësi i policisë, Eduart Aliaj.
Instituti i Policisë Shkencore
Vitit 2007
499 autorë të identifikuar nga gjurmët daktiloskopike
208 objekte armë zjarri të identifikuara
2847 gjurmë patapilare të vlefshme të fiksuara
925 kartela të reja daktiloskopike
Krimet Kundër Pronës
2696 vjedhje pasurie, zbuluar 52% e tyre
112 vjedhje me dhunë dhe me armë, zbuluar 72%
385 vjedhje makinash, zbuluar 71% e tyre
696 vjedhje banesash, 50% e tyre

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›