E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, banda shqiptaro-gjeorgjiane grabitëse e pasanikëve të Athinës

Aksioni Shqiptarë dhe gjeorgjianë ishin kthyer në tmerr të zonave më të pasura

Kishin hyrë për të kryer grabitjen e radhës në një banesë në Iliopuli, zonë e Athinës, por policia greke i arrestoi në fl agrancë. Pas prangosjes së tre gjeorgjianëve, policia arrestoi edhe dy shqiptarë, të cilët mendohet të jenë pjesë e grupit që kryente grabitje, pasi iu dokumentuan 21 raste. Policia e Athinës i tha mediave greke se operacioni u zhvillua në lagjet Kolono, Shën Pandeleimon, Glifadha dhe Eliniko pasditen e së mërkurës. Prej disa ditësh, agjentët e antikrimit kishin rënë në gjurmë të keqbërësve, por vetëm dy ditë më parë ata kishin mundur të konkretizonin operacionin, pasi kanë gjetur momentin kur anëtarët e saj po përgatiteshin të kryenin grabitjet e radhës. Gjatë kontrolleve të kryera në banesat e tyre, me praninë e prokurorit, policia gjeti dhe sekuestroi armë, sende të vjedhura dhe një sasi prej 30 kilogramësh lënde narkotike të llojit kanabis sativa. Sipas raportit të mediave greke gjeorgjianët dhe shqiptarët grabitës ishin të moshave 15, 17 dhe 22 vjeç dhe arrestimi është bërë menjëherë pasi ata kishin dalë nga një shesh ndërtimi në Asklepios. Për arsye hetimore policia nuk i bëri të ditur emrat e të arrestuarve, ndërsa po dokumenton të gjitha rastet e vjedhjeve që janë realizuar prej tyre. Mediat greke, të cilat iu referohen burimeve zyrtare të policisë së Athinës, thanë se anëtarët e kësaj organizate akuzohen për vepra të rënda penale dhe krijim të organizatave kriminale. Policia deklaroi se kishte arrestuar si pjesëtarë të grupit edhe dy shqiptarë që vjedhin banesa në Greqi, ku njëri prej tyre vetëm 19 vjeç, dhe akuzohet se në bashkëpunim me personat e sipërpërmendur, por edhe të tjerë që janë shpallur në kërkim, kanë vjedhur disa banesa në zona të ndryshme të Athinës dhe Atikës. Dy shqiptarët u arrestuan në afërsi të sheshit “Viktoria” dhe akuzohen për “lidhje me banda kriminale” dhe “vjedhje në bashkëpunim”. Shqiptarët vjedhës, hynin nëpër banesa gjatë orëve të natës dhe me kërcënimin e armëve merrnin para, bizhuteri, sende elektronike dhe çelësat e makinave, me të cilat largoheshin. Nga hetimet paraprake rezulton se muajin e fundit ata kishin hyrë në 21 banesa në zonat e Lagonisit, Kalivias, Varit, Thivës, Patisionit, Varkizës, Oropo dhe Koropi. Në banesën e shqiptarëve dhe makinën e tyre u gjendën shumë sende me vlerë, të cilat u sekuestruan.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›