E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, akuza deputetes së PD-së, Albana Vokshi: Ka përfituar nga tenderët

Opozita Kodheli: Bashkëshorti i parlamentares ka përfituar dy koncesione

Partia Socialiste vijoi dje të denoncojë ato që i konsideron si abuzime të pushtetarëve aktualë me postet politike. Në këtë kuadër, deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, deklaroi se bashkëshorti i deputetes demokrate të Durrësit, Albana Vokshi, në mënyrë abuzive, ka përfituar dy tenderë për hidrocentrale në vend. "Nëse do t’i referoheshim deklarimit të pasurisë së znj. Vokshi, do të shihnim se kjo zonjë rezulton një nga deputetet me më pak të ardhura të Parlamentit shqiptar. Ndërkohë, kompania ‘Albaenergiaplus’, e themeluar në vitin 2006 nga Arian Tartari, bashkëshorti i zonjës Vokshi, ka përfituar dy koncesione hidrocentralesh: hidrocentralin Suha2 dhe një tjetër mbi lumin Kardhiq”, theksoi Kodheli në fjalën e saj. Sipas deputetes së PS-së, ajo çka të bën përshtypje është se në të dyja rastet, lidhet me faktin se kompanisë së bashkëshortit të zonjës Vokshi, i është dashur bonusi i dhënë nga Ministria e Ekonomisë, për të dalë firmë fituese në tender. “Thënë më thjesht, subjekti ‘Albaenergiaplus’, me aksioner të vetëm Arian Tartarin, ka përfituar dy koncesione për ndërtime hidrocentralesh në dy tenderë të korruptuar. Subjektit ‘Albaenergiaplus’ i Albana Vokshit, në atë kohë këshilltare për ekonominë e Berishës, i është dhënë me vendim të vetë Kryeministrit, bonus prej 1% të pikëve në tenderin për hidrocentralin mbi lumin Kardhiq”, doli në konkluzion deputetja e PS-së. Prej javësh, selia rozë ka nisur edhe akuzat e saj mbi shumë përfaqësues të qeverisë “Berisha”, për sa i përket krijimit të pasurisë mes tyre, edhe ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›