E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, debat në Parlament, jashtë mijëra protestues

ATHINE- Parlamenti grek vazhdon debatet mbi projketligjin që pritet të votohet nen për nen, ndërsa jashtë tij mijëra persona janë mbledhur për të protestuar.
Ministri i Financave Venizelos ka kerkuar mbështetjen e opozitës duke e quajtur votimin e projektligjit një “biletë besimi” për Greqinë. Ai tha se “s’ka zgjidhje magjike nga Sarkozi apo Merkel, por se zgjidhja do të jetë rezultat i punës së madhe”. Duke iu drejtuar vecanërisht opozitës Demokracia e re, Venizelos deklaroi se “ky eshtë testi përfundimtar ndaj duhet të jemi të bashkuar”.

Ndërkaq Vaso Papandreu, një nga deputetet e PASOK, e cila kishte shprehur rezervat e saj për një prej neneve të projektligjit që parashikon ngrirjen e marrëveshjeve kolektive dhe i hap rrugë uljes së pagave në sektorin privat, tha në parlament se nuk do të mbante përgjegjësinë për mosdhënien e këstit të gjashtë të ndihmës për Greqinë,

duke lënë të kuptohet se do të votojë pro paketës së masave, me gjithë rezervat që ka lidhur me to. Deputetja Vaso Papandreu tha se kishte zhvilluar një takim me kryeministrin, i cili i kishte bërë të ditur se nëse nuk votohen të gjitha nenet e projektligjit, nuk ka gjasa që Greqia të marrë këstin e gjashtë.

Votimi i sotëm, nen për nen i projektligjit për masat e reja shtrënguese ekonomike të detyruara nga BE dhe FMN, si kusht për ndihmën financiare që i nevojitet Greqisë, cilësohet tepër kritik, pasi pavaresisht se ai u miratua dje në parim me 154 vota pro, kërkohet edhe votimi i dispozitave, që ai të hyjë në fuqi.

Në kushtet kur disa deputetë të PASOK, kanë shprehur rezerva ose kanë refuzuar të votojnë një nga nenet e rëndësishme të këtij projektligji, kryeministri Papandreu ka marrë kontakte me ta, në përpjekje për t’i bindur për votën e tyre “pro”.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›