E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, debati Karamanlis-Papandreu tani në distancë

Autori i Lajmit: red.
Zgjedhjet parlamentare

Athinë – Thirjes së Kryeministrit ende në detyrë grek, Kostas Karamanlis për një përballje të fundit ballë për ballë me shefin e opozitës, Jorgos Papandreu, dhe refuzimi i këtij të fundit kanë bërë që ata të dalin veç e veç në mesazhet e tyre të fundit elektorale. Mesazh për mobilizim u dërgoi zgjedhësve të partisë qeveritare të Demokracisë së Re, kryeministri Kostas Karamanlis, në intervistën për shtyp që dha dy ditë më parë në kanalin televiziv Alter dhe sulmoi PASOK-un për premtimet e tij paraelektorale në sektorin e ekonomisë. “Zgjedhësit duhet të lënë mënjanë çdo hidhërim, të justifikuar apo jo, dhe të qëndrojnë pranë partisë së tyre”, - tha z. Karamanlis, i cili theksoi “se vota nuk duhet të shkojë kot, nuk duhet të jetë votë proteste dhe as votë hidhërimi”. Shefi i kabinetit qeveritar grek përsëriti faktin se nuk dëshiron të japë dorëheqjen nga udhëheqja e partisë dhe sqaroi se nuk shqetësohet për postin e Presidentit të Republikës. Kryeministri shtoi se borxhin e jashtëzakonshëm shtetëror e krijuan qeveritë e mëparëshme të PASOK-ut, të cilin e akuzoi se mashtron shtetasit me premtimet e tij në sektorin e ekonomisë. Në lidhje me çështjen e korrupsionit, ai tha se përpjekjet për luftimin e këtij fenomeni vazhdojnë, ndërsa për çështjen Vatopedhio përsëriti se mori përgjegjësinë politike, por theksoi se nuk ekzistojnë dyshime për persona politikë të Demokracisë së Re dhe PASOK-ut. Duke folur për evazionin fiskal, Karamanlis theksoi se është i gatshem ta luftojë përfundimisht atë. Por kryetari i partisë më të madhe opozitare të PASOK-ut, Jorgos Papandreu, në deklaratën e tij televizive u dërgoi të gjithë shtetasve mesazh për bashkim dhe kërkoi votë të fuqishme popullore. Siç theksoi, mesazhi i tij nuk është vetëm për të dielën e zgjedhjeve, por edhe për të ardhmen. Papandreu nënvizoi “se në datën 4 tetor duhet të vendosim se në cilën Greqi duam të jetojmë”. Duke akuzuar direkt partinë në pushtet, ai theksoi se të gjitha vendet “po përjetojnë krizën, por e rëndësishme është nëse do te zgjedhin të fshihen prapa krizës e të mos bëjnë asgjë për të dalë nga ajo, apo do ta shfrytëzojnë atë si pikënisje për ecurinë drejt së ardhmes”. Z.Papandreu nënvizoi se për të dalë vendi nga bataku ku gjendet sot, nevojiten ndryshime rrënjësore dhe plan bindës dhe theksoi se dialogu publik bëhet në bazë të propozimeve të PASOK-ut.
Ky lajm është publikuar: 30/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›