E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama akuza Berishës: “Po cenon pushtetin vendor”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Debati

Nis sërish debati mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Shkak këtë herë është bërë miratimi i paketës fiskale dhe ndryshimi i sistemit të taksave vendore nga Parlamenti. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke shfrytëzuar një inspektim punimesh pranë kodrave të liqenit, i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha të mos cenojë autonominë e pushtetit vendor në të kundërt do të përballet me qëndrimin e tyre. Sipas Ramës, Berisha nuk mund të mbushë arkën e shtetit duke boshatisur atë të pushtetit vendor dhe kjo vetëm për faj të paaftësisë së tij. Duke e konsideruar këtë si një cenim të të drejtave të pushtetit vendor, kryebashkiaku paralajmëroi rezistencë të fortë ndaj këtyre qëndrimeve.
Akuzat
“Përfitoj nga rasti që t i bëj një paralajmërim kryeministrit, pas sulmit të pandalshëm ndaj financave, ta ndalë atë, pasi do të ndeshë në një rezistencë e refuzim që unë nuk do ta dëshiroja, si një pjesë tjetër e jetës shoqërore në Shqipëri që është në krizë të gjithanshme”, - u shpreh dje Rama. Sipas tij, Berisha më kot përpiqet të mbushë arkën e shtetit duke vjedhur atë të vendorëve. Rama akuzoi Berishën se buxheti i shtetit po boshatiset si pasojë e politikave të gabuara të kryeministrit. “Është e patolerueshme që një njeri i papërgjegjshëm e i paaftë, delirant i pandreqshëm të zhbëjë atë që është ndërtuar në gjithë këto vite, dhe të zbrazë arkat e pushteteve vendore dhe pushteteve të vendit që të mbushë atë që nuk mund të mbushë më, buxhetin e shtetit që u zbraz si rezultat i të gjitha abuzimeve dhe shpërdorimeve të gjithanshme dhe politikave të tij shkatërruese, të cilave shqiptarët, po ua dëgjojnë dhe dua t ua dëgjojnë përditë e më shumë krismën”, - u shpreh Rama.
Ligji i ri
Në mungesë të opozitës, në seancën plenare të së hënës, Kuvendi miratoi buxhetin suplementar të vitit 2009 dhe paketën fiskale. Kjo e fundit përmbante edhe disa ndryshime në sistemin e taksave vendore. Me 73 vota Parlamenti miratoi uljen e disa taksave të baskisë, ku një prej tyre është bërja 1 euro e çdo reklame informuese nga bizneset. Zbatimi aktual i kësaj takse në bashkinë më të madhe në vend ishte në nivelet 1500 lekë/vit, për tabelat në gjuhën shqipe dhe 3000 lekë/vit për tabelat në gjuhë të huaj. Në ligjin e ri të miratuar të hënën niveli i kësaj takse unifikohet dhe reduktohet vetëm në 1 euro/vit me arsyetimin se është në të drejtën e biznesit identifikimi i tij, pa e rënduar me kosto shtesë. Ligji saktëson gjithashtu se tabela për qëllime reklamimi mund të jetë tabelë e zakonshme ose edhe elektronike. Aktualisht në bashkinë më të madhe në vend zbatoheshin nivelet 10 000 lekë/m2/vit për tabelat e zakonshme dhe 15000 lekë/m2/vit për ato elektronike. Nivelet e këtyre taksave përcaktohen në ligj dhe unifikohen, duke parashikuar një rritje të nivelit të tyre në 45 00lekë/m2/vit me arsyetimin se këto tabela kanë qëllime reklamimi dhe reklama është pjesë e ndjeshme e kostos së biznesit. Nga ana tjetër, sipas Ministrisë së Financave, rritja e taksës për reklamat bëhet për ta sjellë atë në nivel me vendet e tjera, por edhe për të kufizuar përhapjen pa kufi të tyre, pasi ndihet një ndotje vizuale e rënduar dhe për këtë duhet paguar.
Ky lajm është publikuar: 30/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›