E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulje-ngritjet e diplomacisë komuniste shqiptare

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
John Morrison, shërbimi i jashtëm i “Uashington Post”

Vjenë, 1 janar 1976 - Shqipëria, shteti më i ashpër marksist-leninist i botës, ka nisur një tjetër fushatë të re ideologjike spastrimi, ndërsa udhëheqësit e saj të vjetër kërkojnë të pengojnë përgjithmonë mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve me Moskën. Udhëheqësi i Partisë Komuniste Shqiptare, Enver Hoxha, 67 vjeç, dhe kolegët e tij më të afërt, janë duke e shfaqur ndarjen e tyre dramatike me Bashkimin Sovjetik 15 vjet më parë si një hap të paevitueshëm dhe të pakthyeshëm. Çështja është se çdo armëpushim me Kremlinin përjashtohet për shkaqe ideologjike, edhe pasi udhëheqja aktuale veterane e Partisë Komuniste Shqiptare të dalë nga skena. Armiqtë dhe tradhtarët brenda Shqipërisë, të cilët “ngrenë kokat e tyre” do të goditen “menjëherë sa t u duket maja e veshit”, - thuhet në një shprehje të Enver Hoxhës, e cila tashmë është shndërruar në një zhargon standard politik shqiptar. Ka pasur spastrim në shkallë të gjerë këto dy apo tre vitet e fundit, çka tregon edhe një herë se paralajmërimet e Hoxhës nuk duhen kurrsesi shpërfillur. Një nga qëllimet e këtyre “shkundjeve” duket se është për të ndalur revizionimin e rrugës së izolimit të Shqipërisë, kur Hoxha dhe kolegu i tij më i afërt, kryeministri Mehmet Shehu, 62 vjeç, nuk e braktisin linjën e tyre korrekte politike. Ka pasur informacione të pakonfirmuara se që të dy nuk kanë gëzuar shëndet të mirë këto kohët e fundit. Në vitin 1973, një përçarje ideologjike solli një përmbysje rrënjësore të zyrtarëve të fushës së kulturës. Vitin e shkuar ishte radha e institucionit ushtarak. Ministri i Mbrojtjes, zoti Beqir Balluku, një koleg i afërt i Enver Hoxhës për më shumë se tridhjetë vjet, ra nga pushteti. Për sa i përket këtij viti, mund të themi se ai ka parë pushimin e tre ministrave të vjetër të ekonomisë, dy prej të cilëve janë anëtarë të Byrosë politike dhe përjashtimin në masë të burokratëve të të gjitha niveleve të administratës. Asnjë akuzë publike nuk është drejtuar kundër Beqir Ballukut apo zyrtarëve të tjerë që janë ulur në pozitë këtë vit. Nuk ka prova që të sugjerojnë që ata kanë pësuar diçka më të rëndë sesa përjashtimi nga puna. Hoxha ka krijuar një komitet, i drejtuar nga vetë ai, për të hartuar zëvendësimin e kushtetutës shqiptare të vitit 1946, një kushteturë e hartuar në bazë të modelit sovjetik. Dokumenti i ri që do të hartohet pritet të mbajë doktrinat e tij dhe ta bëjë njëherësh dyfish më të vështirë për çdo pasardhës të pushtetit që të ndryshojë politikat e tij. Kina është ende aleati kryesor politik i Tiranës dhe një burim ndihme ekonomike, por Hoxha ka dështuar të ndjekë drejtimin pragmatist të Pekinit në përmirësimin e kontakteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do të shërbente si një kundërpeshë më e mirë kundër Moskës. Në vitet 1972 dhe 1973, Shqipëria nisi marrëdhëniet e saj diplomatike me shumë shtete të Botës së Tretë, përfshirë dhe Amerikën Latine, por atje ka pasur shumë pak kontakte diplomatike të reja kohët e fundit. Vizita e Presidentit amerikan ,Ford, në Kinë, është pritur me kundërshtime të forta në Shqipëri, në vendin ku vetëm vizitorët e ardhur me kredenciale të pastra revolucionare janë të mirëpritur. Vizitori i fundit i një rangu të lartë në Tiranë ishte Princi Norodom Shihanuk. Lidhje miqësore janë mbajtur dhe me Korenë e Veriut dhe Vietnamin e Veriut. Vitet e fundit kanë sjellë një ngrohje të vogël të marrëdhënieve shtet me shtet me vendet fqinje, përfshirë këtu dhe Jugosllavinë. Por trendi duket i pashpresë përballë fushatës së fundit ideologjike të gjeneral Hoxhës dhe revizionizmi jugosllav është duke u denoncuar edhe një herë tjetër në Tiranë. Shqipëria i ka thënë gjithashtu jo një ftese të Athinës për t iu bashkangjitur vendeve të Ballkanit në një konferencë të nivelit të mesëm lidhur me bashkëpunimin ekonomik. Ndërkohë, politika kryesore është e njëjta me atë që Hoxha ka bërë në vitin 1960, që pastërtia ideologjike merr përparësi mbi argumentet ekonomike. Për të marrë mesazhin e tij në Shqipëri dhe në botë, Hoxha, i cili e ka sunduar Shqipërinë që kur partizanët komunistë përzunë nazistët nga vendi i vogël ballkanik në Luftën e Dytë Botërore, sapo ka botuar një libër të detajuar të ndarjes së tij me lidershipin sovjetik. Fjalimet e kulturuara të stilit francez të udhëheqësit të Partisë Komuniste Shqiptare, letrat dhe shkrimet nga gjysma e dytë e vitit 1969, muajt e rëndësishëm të ftohjes me Moskën, kanë dalë në shitje në Tiranë me një propagandë të madhe. Fragmente të gjata janë shpërndarë jashtë vendit dhe 2.4 milionë qytetarëve të Shqipërisë u thuhet të studiojnë këtë libër si tekstin e një rëndësie shumë të madhe ideologjike. Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Moskës u acaruan nga vitet 1955-1956 dhe më tutje, kur shqiptarët kundërshtuan jozyrtarisht dënimin që i bëri lideri sovjetik, Nikita S. Hrushov Stalinit, dhe mënyrës se si ai u përpoq të bashkërendonte marrëdhëniet diplomatike me fqinjët armiq të shqiptarëve, “revizionistët e djallëzuar” të Presidentit jugosllav, Josif Tito. Kina mori të njëjtën linjë të ashpër si edhe shqiptarët, dhe kur Hrushovi tentoi të bënte një denoncim të ashpër të politikave kineze në një takim të partive komuniste në Bukuresht në vitin 1960, përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë ishte i vetmi që nuk ruajti linjën e Hrushovit. Debati u përkeqësua dhe në nëntor të vitit 1960, kur Hoxha bëri një sulm të ashpër personal mbi Hrushovin në një Konferencë botërore të Partive Komuniste që mbahej në Kremlin. Disa nga faqet më dramatike të librit të gjeneralit shqiptar japin një tablo të shkurtër të mënyrës së vrazhdë të negocimit me kundërshtarët politikë të udhëheqësve të partisë. Libri shpalos një procesverbal të cituar fjalë për fjalë të marrjes në pyetje të Koço Tashkos nga vetë Hoxha në lidhje me fjalët e këtij të fundit që kishte ngritur dyshimet e një përplasjeje të mundshme me Moskën, burimin kryesor ekonomik të Shqipërisë. Procesverbai i marrjes në pyetje, i cili u pasua edhe nga përjashtimi nga partia i Tashkos dhe i anëtares së Byrosë Politike, Liri Belishova, ishte një shenjë paralajmërimi për zyrtarët e tjerë të vjetër të partisë që mund të vinin në dyshim politikat e Hoxhës sot. Si anëtar i Byrosë Politike, Ramiz Alia shpjegoi kohët e fundit në një artikull në gazetën e përditëshme të partisë, “Zëri i popullit”: “Eksperienca i ka mësuar partisë dhe popullit tonë të jetë gjithmonë vigjilent për armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm”.
Ky lajm është publikuar: 30/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›