E Diel, 1 Nëntor 2026

Iran-Kinë marrëveshje 2.5 miliardë $

Autori i Lajmit: red.
Teheran - Kina ka nënshkruar me Iranin një kontratë për zhvillimin e një rezerve nafte iraniane në Azedaganin Jugor, me investime që mund të arrijnë deri në 2.5 miliardë dollarë, njoftoi televizioni iranian në gjuhën angleze, "PressTv". Marrëveshja është nënshkruar pikërisht në një kohë kur SHBA-ja dhe disa vende evropiane po përpiqen të bindin Kinën dhe Rusinë për të mbështetur sanksionet kundër Iranit, nëse nuk do të arrihen rezultate pozitive nga bisedimet në Gjenevë për programin bërthamor. Por Kina, që nga Irani importon 14 për qind të naftës, duket se është vendi më pak i bindur për të vendosur sanksione. Marrëveshja, thekson televizioni PressTv, u nënshkrua të dielën në Lozanë të Zvicrës, ndërmjet kompanisë kineze "National Petroleum Corp" (Cnpc) dhe asaj shtetërore iraniane "National Iranian Oil Company" (Nioc). Në bazë të marrëveshjes, pala kineze merr në ngarkim 70 për qind të projektit. Njëzet për qind do të mbulohet nga Irani dhe 10 për qind nga japonezja "Inpex". Projekti për Azadeganin Jugor parashikon një prodhim prej 260 mijë fuçi në ditë. Rezerva e Azadeganit, që ndodhet pranë kufirit me Irakun, ka rreth 42 miliardë fuçi naftë.
Ky lajm është publikuar: 30/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›