Politika, Ina Rama apel prokurorëve
Trazhgim Sokolaj
Kryeprokurorja Ina Rama, shfrytëzoi dje mbledhjen e prokurorëve nga i gjithë vendi për votimin e dy anëtarëve të rinj të akuzës qendrore, për t’u bërë thirrje vartësve të vazhdojnë ushtrimin e funksioneve të tyre të pandikuar nga deklaratat e ndryshme në adresë të Prokurorisë. Në takimin e djeshëm ku ishin të pranishëm prokurorë nga gjithë vendi, prokurorja e Përgjithshme Ina Rama u ka bërë apel të prerë vartësve të jenë të vendosur dhe të ndershëm në detyrën e tyre. Pas fjalës së kryeprokurores, filloi procedura e prezantimit të pesë kandidatëve për anëtarë të rinj të Këshillit të Prokurorisë. Shkëlqim Hajdari, kryeprokuror i Apelit, Shpëtim Kurti, prokuror në Tiranë, Besnik Cani prokuror pranë njësisë Task-Force, Dritan Gina prokuror në Durrës dhe Drini Pali, zv.prokuror në Durrës, prezantuan para kolegëve të tyre platformën si dhe shkakun pse kandidonin për dy vendet e mbetura vakante në Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme. Më pas, me radhë sipas rretheve gjyqësore, filloi procesi i votimit i cili ka zgjatur rreth dy orë. Në përfundim të procesit të votimit komisioni përkatës bëri vlerësimin e rezultateve dhe më pas shpalli kandidatët fitues, që do të jenë anëtarë në Këshillin e Prokurorisë. Prokurori Besnik Cani me 142 vota dhe Kryeprokurori i Apelit Shkëlqim Hajdari me 138 vota, janë zgjedhur anëtarë të Këshillit të Prokurorisë. Ky organ i përbërë aktualisht nga nëntë anëtarë sipas ligjit, ka në kompetencë të marrë në shqyrtim masat disiplinore ndaj prokurorëve që rezultojnë me shkelje, të vendosë me votim nga anëtarët dhe t’i propozojë Prokurorit të Përgjithshëm ndëshkimet përkatëse. Po ashtu, Këshilli merr në shqyrtim kandidaturat për emërim si prokuror apo ngritje të prokurorëve në detyrë dhe me votim del me propozime, që i drejtohen Prokurorit të Përgjithshëm.
Dy anëtarët e rinj
Pak orë pasi ishte zgjedhur për të qenë anëtar i Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme, kryeprokurori Apelit të Tiranës Shkëlqim Hajdari, tha se e vlerëson mbështetjen e kolegëve duke besuar se ajo ka ardhur në vlerësim të integritetit profesional dhe moral. Anëtari i ri i Këshillit ka premtuar se ai do të kërkojë përmbysjen e traditës së mbledhjeve të mbyllura, duke kërkuar që mbledhjet periodike të këshillit tashmë të zhvillohen me dyer të hapura, në praninë e medias dhe publikut, si dhe të gjithë faktorëve të tjerë të interesuar për të qenë gjithçka transparente në sytë e qytetarëve. “Ashtu si deri tani në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve, edhe si anëtar i Këshillit do të kontribuoj për promovimin dhe futjen në sistemin e Prokurorisë të prokurorëve, që kanë rezultate dhe integritet të lartë moral dhe profesional. Vota ime në Këshill, do të jetë në mbështetje të prokurorëve në të gjitha shkallët nga Tropoja deri në Sarandë”, tha anëtari i zgjedhur i Këshillit Shkëlqim Hajdari. Anëtari tjetër i zgjedhur në Këshill, prokurori Besnik Cani, tha se do të kontribuojë që ky organizëm të mos jetë i ndikuar dhe një xhelat për prokurorët, por një institucion demokratik. “Unë propozoj që takime të tilla të prokurorëve të vendit si ky i sotmi, në të ardhmen t’i quajmë Konfederata e Prokurorëve të Shqipërisë”, tha prokurori Besnik Cani, anëtari i dytë i zgjedhur me votim si anëtar i Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme.
Prokurorët kandidatë
1. Besnik Cani, 142 vota, fitues
2. Shkëlqim Hajdari, 138 vota, fitues
3. Shpëtim Kurti, kandidat
4. Dritan Gina, kandidat
5. Drini Pali, kandidat