E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, emigrantët shqiptarë tashmë edhe në votime

Më 1 qershor, ministri i Brendshëm, Janis Ragusis, nënshkroi një vendim sipas të cilit afati i regjistrimit për votuesit emigrantë, skadon më 31 gusht 2010.

Lidhur me votimet dhe te drejtat politike ministri i Brendshëm Ragusis, javën e kaluar ka bërë edhe një takim me përfaqësues të komuniteteve të emigrantëve, ku morën pjesë dhe nga komuniteti shqiptar.

Procedura e regjistrimit në listat zgjedhore

Emigrantët që kanë leje qëndrimi afatgjatë, ose pa afat, dhjetëvjeçare apo statusin e banorit me qëndrim të gjatë, apo leje qëndrimi si bashkëshortë, prindër apo pjesëtarë familjeje të një shtetasi grek apo shtetasi të BE-së, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën në bashkinë ku jetojnë, për marrjen e titullit të qëndrimit, nëse banojnë në mënyrë të përhershme aty.

Banimi i përhershëm vërtetohet nëse kanë kaluar dy vjet që nga dorëzimi i kërkesës për marrjen e lejes së qëndrimit, pa qenë nevoja që i interesuari të paraqesë dokumente të tjera për vërtetimin.

Sipas qarkores të Ministrisë së Brendshme, mbështetur edhe në ligjin 3838/2010, emigrantët që kanë dëshirë për të votuar mund të mësojnë nëse kanë të drejtë vote apo jo, duke klikuar në adresën e internetit të Ministrisë së Brendshme, ose të shkojnë në Bashkinë e vendbanimit ku të paraqesin edhe kërkesën për regjistrim në listat e zgjedhësve. Sipas njoftimit, theksohet se procedura e regjistrimit është shumë e thjeshtë.
çdo emigrant i ardhur nga vendet jo të BE, (vendet e treta) ka të drejtën të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar në listën zgjedhore, e cila protokollohet në bashkinë ku ai banon.

Emigrantët duhet të përmbushin disa detyrime, si psh: banojnë ligjërisht në Greqi të paktën mbi pesë vjet, kanë mbushur 18 vjeç dhe nuk janë dënuar për ndonjë krim që përfshin privimit të të drejtave civile etj. Të interesuarit mund të dorëzojnë aplikimet e tyre edhe në mënyrë elektronike…

Cilët kanë të drejtë vote:

- Të kenë mbushur moshën 18 vjeç.
- Të mos jenë dënuar për krime , që parashikojnë heqjen e të drejtave politike.

- Emigrantë të vendeve të treta që posedojnë leje qëndrimi pa afat, ose me afat 10-të vjeçar.

- Emigrantë të vendeve të treta që kanë marrë statusin e banorit me qëndrim të gjatë.

- Emigrantë të vendeve të treta, bashkëshortë shtetasish grekë apo të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, që kanë mbushur pesë vjet qëndrim të ligjshëm e të vazhdueshëm në Greqi.

- Emigrantë të vendeve të treta, prindër fëmijësh të mitur grekë, që kanë mbushur pesë vjet qëndrim të ligjshëm e të vazhdueshëm në Greqi.

- Emigrantë të vendeve të treta që kanë marrë statusin si refugjatë politikë dhe pjesëtarët e familjes së tyre, që kanë mbi pesë vjet qëndrim të ligjshëm dhe të vazhdueshëm në Greqi, që nga momenti i dorëzimit të kërkesës

- Emigrantë të vendeve të treta që janë vënë në regjim mbrojtjeje humanitare dhe që kanë mbi pesë vjet qëndrim të vazhdueshëm e të ligjshëm në Greqi që nga momenti i dorëzimit të kërkesës .

- Emigrantë të vendeve të treta që janë njohur nga autoritetet përkatëse greke si pa shtetësi, si dhe kanë mbi pesë vjet qëndrim të vazhdueshëm e të ligjshëm në Greqi që nga momenti i dorëzimit të kërkesës përkatëse.

- Emigrantët e vendeve të tjera janë të njohura si refugjatë politik dhe kanë përfunduar pesë vjetësh qëndrimi të vazhdueshëm ligjor në vend.

Dokumentet që nevojiten për regjistrim

Të interesuarit duhet të paraqiten personalisht për të kërkuar regjistrimin në listat zgjedhore, ku të kenë me vete edhe dokumentet e mëposhtëm:
- Kopje të lejes së qëndrimit
- Kopje të legalizuar të pasaportës së vlefshme.
- Dëshmi penaliteti
- Vërtetim për banimin e përhershëm.
/Shpetim Zinxhirija/Athinë/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›