Greqi, kapet gomonia me 833 kg drogë, vinte nga Shqipëria

Një gomone e cila dyshohet se ishte nisur nga Shqipëria me 833 kg hashash në bord është sekuestruar mbrëmë nga policia greke.
Gomonia "Evangelistria" me një gjatësi rreth 12 metra, me 2 motorë me nga 350 kuaj fuqi secili është kapur si rezultat i bashkëpunimit të policive të tre shteteve, përkatësisht asaj shqiptare, greke dhe italiane.
Sipas policisë greke droga ishte e ndarë në 585 pako ndërsa është identifikuar edhe pronari i skafit dhe po vijojnë kërkimet për dy skafistët që po transportonin lëndën narkotike. Sipas informacioneve pronari i gomones është një shtetas grek që ndodhet në burg për trafik droge ndërsa dyshohen se skafistët janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal droge greko-shqiptar.
Nga të dhënat e para mësohet se, gomonia me lëndën narkotike dyshohet se është nisur nga gjiri i Lukovës në Sarandë dhe nëpërmjet Kanalit të Korfuzit, po dërgohej në ishullin Qefalonia, për tu hedhur më pas në treg. Mjeti lundrues u konstatua nga policia shqiptare e cila ka njoftuar autoritetet policore italiane dhe greke. Policia greke është vënë në ndjekje të saj, por dy drejtuesit e gomones nuk i janë bindur urdhrave për të ndaluar. Ndjekja e gomones ka nisur nga jugu i Korfuzit, në ujërat midis ishullit Itaka e Qelafonia. Me të mbërritur në gjirin e Itakës, dy personat që drejtonin gomonen e kanë braktisur atë dhe janë arratisur me këmbë në ishull.
Trafikantët kanë mundur të hedhin një sasi të konsideruar të drogës së paketuar në det, dhe sipas autoriteve greke sasia e saj shkon në 833 kg. Ndërkohë policia greke në bashkëpunim me atë shqiptare po vijon operacionin për kapjen e dy trafikantëve.