E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, “luftë” për një taksi,vazhdon greva

ATHINË- Vazhdon edhe sot greva e taksistëve në Greqi, e cila që nga e hëna në mëngjes ka shkaktuar kaos dhe probleme të mëdha vecanërisht në Athinë, ku turistët që mbërrijnë në Greqi nëpërmjet portit dhe aeroportit, kanë përjetuar orë ferri, ndërsa iu është dashur të përshkojnë në këmbë me bagazhe në duar, distanca shumë të gjata deri në destinacionin e tyre.

Mëngjesin e sotëm, pronarët e taksive u mblodhën jashtë Ministrisë së Infrastrukturës, duke kërkuar takim me ministrin. Ata shprehen të vendosur të vazhdojnë grevën kundër liberalizimit të profesionit të tyre. Taksistët thonë se ligji i ri për liberalizimin e profesionit, nxit konkurrencën e pabarabartë, sepse licencat e tyre janë paguar mijëra euro, ndërsa sipas qeverisë, me liberalizimin do përmirësohet cilësia e shërbimit.

Shoferët e taksive nëpërmjet një deklarate sot i kanë kërkuar ndjesë publikut, që nuk do të jenë në gjendje të plotësojnë nevojat e tyre të transportit. Ata deklaruan se për emergjenca shëndetësore edhe gjatë ditëve të grevës, do të ketë mjete taksi të sigurisë në të gjithë vendin.

Prokuroria ka hapur disa cështje duke akuzuar pronarët e taksive se kanë penguar me qëllim qarkullimin. Nga ana e tij, ministri grek i Turizmit u shpreh se greva po godet rëndë turizmin në vend duke detyruar mijëra pushues dhe turistë të huaj të mundohen rrugëve.

Protestës së shoferëve të taksive iu shtohen sot edhe protesta e mjekëve dhe infermierëve dhe studentëve. Mjekët dhe infermieret do të mblidhen jashtë Ministrisë së Shëndetësisë për ët kundërshtuar planet për reformimin e sistemit shëndetësor, ndërsa janë planifikuar tubime në mbrëmje nga nxënësit që reagojnë kundër projekt-ligjit për arsim.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›