E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të larguarit e Flamurtarit: Kjo qe një "bombë" për ne

TIRANE- Pas një sezoni fantastik, që e kurorëzoi nënkampion të vendit, klubi Flamurtari ka "nxjerrë në rrugë" katër nga futbollistët kryesorë të ekipit, duke nisur nga Daniel Xhafaj, Bledar Devolli, Julian Ahmataj e Sebino Plaku. Bëhet fjalë për një "shkrirje" të skuadrës, që në sezonin e shkuar ishte shumë pranë fitimit të titullit kampion. Duket e çuditshme, por futbollistëve nuk u është dhënë asnjë arsye përse janë hequr nga ekipi. Madje, një pjesë e tyre e ka marrë vesh vendimin nëpërmjet mediave, duke e quajtur atë një "rrufe në qiell të hapur". "Nuk di si ta komentoj, ky ka qenë lajmi më surprizë në gjithë karrierën time, - thotë sulmuesi Daniel Xhafaj për Ga-zetën Shqiptare. - Nuk më ka marrë asnjë nga drejtuesit të më thotë përse më kanë larguar, madje edhe lajmin ma ka thënë trajneri", shton ai. Bledar Devolli e quan më shumë se të çuditshëm këtë vendim, duke parë se bëhet fjalë për katër nga lojtarët kryesorë të ekipit. "Nuk di ç'të them, jam i shokuar, - shprehet mesfushori gjirokastrit. - Lajmin e mësova nga mediat dhe më pas u interesova. Për mua ishte një gjë e tmerrshme, pasi ata më larguan, më morën dhe tani më largojnë prapë. Nuk di ç'të them, për momentin i falënderoj drejtuesit e Vlorës për respektin që treguan. Kjo është Shqipëria dhe na duhet të përshtatemi", shton ai me ironi. Largimi i katër lojtarëve kryesorë të ekipit ka qenë tema për tifozerinë vlonjate, sidomos pas një sezoni të mirë dhe kalimit të një turi në Kupat e Evropës. Dy ditë më parë, gjithçka ishte në kuadrin e fjalëve, ndërkohë që ditën e djeshme, klubi vlonjat ka zyrtarizuar gjithçka.
Deklaratat
Pavarësisht se ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm dhe ka marrë gjithnjë elozhet e presidentit Shpëtim Gjika, Daniel Xhafaj nuk arrin ta shpjegojë vendimin e tij për ta larguar nga skuadra. Ai duket se e ka zgjidhur që tani të ardhmen, ndërkohë që vendimin e drejtuesve e komenton me jo pak zhgënjim. "Ky ishte vendimi më i çuditshëm që ata mund të merrnin. Nuk e di nëse ka lidhje me situatën ekonomike, por largimi i katër lojtarëve të lë shumë vend për dyshime. Më i çuditshëm është fakti se unë gjatë gjithë kësaj kohe kam pritur që ata të më ofronin një kontratë dhe nuk e kanë bërë fare këtë. Pra, nuk e di nëse ka lidhje me anën ekonomike apo jo. Gjithsesi, ata kanë ende detyrime ndaj meje nga ana financiare, kështu që do të flas sërish me ta, - shprehet Daniel Xhafaj. - Pastaj, nëse donin të na largonin, le të na e thonin dy ditë para ndeshjes së parë ndaj Buduçnostit, pse na e thonë tani?", shton ai.
E ardhmja
Daniel Xhafaj e Bledar Devolli janë nga lojtarët më të njohur të kampionatit shqiptar dhe është kjo arsyeja që vendimi i drejtuesve të Flamurtarit ka qenë jo pak i çuditshëm. Përpos kësaj, ata duket se shumë shpejt do të jenë në skuadra të tjera. "Unë i falënderoj tifozët e Vlorë dhe u them vetëm që të mos mërziten për skuadrën e re që do të shkoj, - thotë Xhafaj, duke lënë të kuptohet se kjo skuadër mund të jetë Skënderbeu. - U them atyre, që Daniel Xhafaj nuk po ikën, por e larguan. Brenda 2-3 ditëve do të jem në një ekip tjetër", shtoi ai. "Që sot kam marrë 2 oferta, - thotë Devolli. - Do t'i shqyrtoj dhe do vendos me kujdes, sepse jam lodhur", shpjegoi më tej mesfushori.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›