E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rompuy, Ashton e Del Ponte përshëdesin arrestimin e Haxhiç

BRUKSEL- Presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy dhe përfaqësuesja e BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Katherin Ashton përshëndetën sot arrestimin e të kërkuarit serb për krime lufte, Goran Haxhiç duke vlerësuar se bëhet fjalë për "një hap të rëndësishëm në realizimin e perspektivës evropiane të Serbisë".

"BE-ja përshëndet arrestimin e Haxhiçit. Bëhet fjalë edhe për një hap të rëndësishëm për Serbinë drejt realizimit të perspektivës së saj evropiane dhe njëkohësisht hap i rëndësishëm për drejtësinë ndërkombëtare", theksohet në kumtesën e përbashkët të Rompuyt dhe Ashtonit.

Dy diplomatët evropianë theksuan se "kombi serb është në procesin e përballjes me të kaluarën dhe kthimin e faqes drejt ardhmërisë më të mirë evropiane".

Ish-kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte vlerësoi se arrestimi i Haxhiçit është sukses i madh për autoritetet serbe.

Sipas saj, Haxhiç është "një i njohur i vjetër i gjykatës". "Me këtë mund të thuhet se misioni është përfunduar me sukses", theksoi Del Ponte, duke shtuar se Gjykata e Hagë do të mundet, kur do të përfundojnë gjykimet, t'i mbyllë dyert e saj.
(m.a/mia/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›