E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqit dhe kurdët me krizë të besimit

Përpjekjet e Turqisë për pajtim me kurdët janë goditur nga një krizë e besimit, pasi që kryengritësve të liruar separatistë kurdë ju bë një pritje madhështore nga ana e bashkëkombësve të tyre, u citua të ketë thënë kryeministri i Turqisë, Recep Tajib Erdogan.

Në sipërfaqe ka dalë një krizë e besimit, tha Erdogan para gazetarëve, të cilët e shoqëruan gjatë vizitës së tij në Pakistan.

Erdogan ju referua kremtes në pjesët juglindore të Turqisë, të banuara me popullatë shumicë kurde, pas lirimit të tetë kryengritësve kurdë, të cilët javën e kaluar kaluan nga territori i Irakut në Turqi, duke ju dorëzuar autoriteteve turke, gjest ky i cili kishte për qëllim që të shpreh përkrahjet e tyre për planin e qeverisë së Turqisë, për të zgjeruar të drejtat për pakicën kurde.

Erdogan theksoi se dorëzimi i një grupi të dytë të kryengritësve, i cili ishte paraparë të ndodhë gjatë kësaj jave, është shtyrë për më vonë, pikërisht për shkak të kremtes paraprake në rajonet me popullatë shumicë kurde.

Le të ndalemi. Ne do ta vazhdojmë këtë proces, pasi ta rishqyrtojmë situatën, tha Erdogan.

Ai kremten e kurdëve e cilësoi si një zhvillim të padëshiruar, për të cilin e fajësoi Partinë e Shoqërisë Demokratike, partia kjo kryesore politike e kurdëve në Turqi.

Kryengritësit e dorëzuar ishin pjesëtarë të PKK-së, organizatë kjo e cila ngriti armët kundër Ankarasë në vitin 1984, në fillim të konfliktit, i cili i ka kushtuar me jetë së paku 45 mijë njerëzve. Pjesëtarët e këtij grupi ka kohë që veprojnë në bazat e PKK-së, të cilat gjenden në veri të Irakut.

Qeveria është kritikuar se ka qenë tejet e butë ndaj kryengritësve të penduar dhe pritja e organizuar për ta ka shkaktuar indinjatë në të gjitha anët e Turqisë, ku PKK-ja konsiderohet si organizatë terroriste.

Atë që po tentojmë të bëjmë, është që të vendosim një mur mes qytetarëve tanë dhe organizatës terroriste, si dhe të pamundësojmë shfrytëzimin e qytetarëve tanë me orgjinë kurde. Organizata terroriste nuk mund të jetë përfaqësuese e tyre, tha Erdogan.

Qeveria ka theksuar se është duke hartuar një varg reformash, për të zgjeruar të drejtat e kurdëve dhe ka kërkuar nga militantët e PKK-së që të dorëzohen.

Sidoqoftë, Ankaraja e refuzon dialogun me PKK-në dhe është zotuar se do të vazhdojë aksionet ushtarake kundër këtij grupi militant.

(AP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›