E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimet gjyqësore, tarifat e reja për qytetarët

Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar tarifat e reja, që qytetarët do të paguajnë për shërbimet që do të marrin nga Ministria e Drejtësisë, noteria, dhe ZRPP-ja

TIRANË- Një udhëzim i sapohyrë në fuqi i Ministrisë së Drejtësisë, ka përcaktuar tarifat e reja që qytetarët do të paguajnë për veprimet dhe shërbimet, që do të marrin nga administrata gjyqësore e Ministrisë së Drejtësisë, prokurorisë, noterisë dhe zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Në tabelën përfundimtare të hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë me ato të Financave, vihet re një rritje e vlerës që qytetarët duhet të paguajnë për shërbimet që do të marrin. Kështu, një shërbim për lëshimin e vërtetimit nga gjykata se kërkuesi nuk është në proces gjyqësor, nuk do të jetë më 150 lekë, por 200 lekë të rinj.


E njëjta gjë vlen edhe për lëshimin e dëshmisë së penalitetit nga zyrat e gjendjes gjyqësore. Udhëzimi i ri përcakton edhe tarifat e reja për kërkesëpaditë që paraqiten në gjykatë, duke filluar nga ajo për pension ushqimor e deri tek padia për pjesëtim pasurie apo për kthim në punë.

Mbi tarifat e shërbimit të përfshira në këtë udhëzim, nuk aplikohet TVSH-ja. Sipas udhëzimit, këto tarifa aplikohen në çdo rast, pavarësisht tarifave të shërbimit, të parashikuara në akte të tjera ligjore apo nënligjore.

Qeveria ka bërë rregullime edhe sa u përket tarifave për veprime e shërbime që kryhen nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, duke ndryshuar vendimin po për këtë çështje të miratuar në vitin 1996. Kështu, një kontratë qiraje, huaje apo sipërmarrjeje, nëse më parë ka kushtuar 150 lekë, tani do të kushtojë 200 lekë.


Të gjitha veprimet noteriale do të kushtojnë 200 lekë të rinj, ndërsa "gjobat" më të renda do të jenë për kontratat për kalim pronësie të pasurisë së paluajtshme, 700 lekë deri në 1000 lekë. Edhe një vërtetim përkthimi dhe vërtetim njësie me origjinalin, nuk do të jetë më 150 lekë, por 200 lekë të rinj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›