E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-BE, thirrje Greqisë të zbatojë sa më shpejt reformat



Kriza greke ishte pothuajse tema më e nxehtë në samitin e vendeve të G20 në Uashington, por në dokumentin final nuk përmendet asnjë rrugë zgjidhjeje konkrete. Rimëkëmbja ekonomike e përgjithshme shihet më mirë nga sa ishte parashikuar dhe kjo falë masave të qeverive dhe autoriteteve monetare, por ritmi i veprimit të tyre është i ndryshëm dhe papunësia në shumë vende rrezikon të bëhet pengesë për planin financiar. Sipas G20, nevojiten “strategji daljeje të besueshme nga masat e mbështetjes makroekonomike dhe financiare të jashtëzakonshme”, si politikat ekonomike “të mirë-koordinuara dhe në një linjë me financat publike solide”. Reforma e financës, element tjetër themelor në diskutimin e Uashingtonit, duhet të çohet deri në fund sa më shpejt të jetë e mundur, duke pasur parasysh reforma nuk do të paragjykojë rimëkëmbjen. Për të ndaluar spekulimet dhe për të bindur tregjet do të jetë shumë e rëndësishme, sipas analistëve, aktualizimi i shpejtë i planit të mbështetjes së Greqisë, e cila ka kërkuar të drejtë përdormi në linjën e kreditit që të premten dhe pret të marrë këstin e parë të ndihmës së paketës 45 miliardë euro përpara 19 majit. Liderët e BE-së po negociojnë me autoritete greke, për t’u bindur se plani i detajuar i Greqisë nuk do të jetë një përpjekje më shumë për të shtuar shifrën marramendëse që i detyrohet anëtarëve të BE-së vendi me më shumë borxhe i unionit. Mbi përmbajtjen e dokumentit të paraqitur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për taksat e sektorit bankar nuk ka pasur asnjë marrëveshje. G20 ka kërkuar nga FMN të vazhdojë punën për të zgjidhur këtë temë. Përgjigjja e shpejtë evropiane në mbështetje të Greqisë ka marrë përshëndetjen e Sekretarit amerikan të Thesarit, Timothy Geithner. Njëkohësisht Geithner ka kërkuar nga ministri i Financave të Greqisë të zbatojë sa më shpejt reformat financiare për të përballuar krizën buxhetore në të cilën ndodhet vendi. Deficiti buxhetor i Greqisë arrin në 13 për qind dhe po rrezikon të gjithë ekonomitë e eurozonës. Ndërkohë kancelaria gjermane, Merkel kërkon një rregullore më të mirë për tregjet financiare ndërkombëtare, të prekur ende nga një sasi e madhe spekulimesh, siç dëshmohet qartë në krizën ekonomike greke. Merkel ka theksuar se Gjermania i ka kërkuar Komisionit Evropian të avancojë propozimet për të ndaluar spekulime të ngjashme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›