E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja mister e Erieta Avdylit, zbulohen në një libër e-mailet për punonjësen e UNICEF



Ferdinand Dervishi

Dhjetë vjet nga vrasja e mistershme e Erieta Avdylit, ish-punonjëse e UNICEF dhe ish-bashkëshortja e një funksionari të lartë të Policisë së Tiranës, familjarët dhe miqtë e ringjallin duke publikuar një libër me kujtime. Një libër plot me ndjenja njerëzore për imazhin që ajo ka lënë në shpirtin e gjithkujt që e ka njohur nga afër, por edhe një libër që nis dhe mbetet këtu, mes kësaj atmosfere, pa shkuar më tej, pa përsëritur edhe njëherë dyshimet e tmerrshme për vrasjen e motivet e saj.
Erieta Avdyli, nënë e dy fëmijëve të mitur, u zhduk më 30 mars 2000, pas orës 15:30, pasi doli nga zyra e punës, që gjendej diku në hyrjen e “Qytetit Studenti” dhe u nis për në shtëpi, që gjendej në afërsi të Komisariatit 1 të Policisë së Tiranës, që në atë kohë drejtohej nga bashkëshorti i saj Dritan Avdyli. Në oborrin e shtëpisë fqinje u gjet biçikleta që përdorte Erieta dhe më tej asnjë shenjë e saj. Pak ditë më pas i ati i Erietës, Enes Sokoli, denoncoi zhdukjen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, por fillimisht reklamimi i tij nuk u mor seriozisht. Vetëm depërtimi i ngjarjes në media shkaktoi interesimin e duhur të policisë dhe nisjen e hetimeve.
Kufoma e Erieta Avdylit u gjet një muaj e gjysmë më vonë, më 13 maj 2000, gjysmë e groposur dhe gjysmë e dekompozuar në fshatin Romanat të Durrësit. Dokumentet në çantën pranë saj bënë të mundur një identifikim të shpejtë. Menjëherë më pas, policia ndaloi bashkëshortin Dritan Avdyli, në bazë të një padie të prindërve të Erietës, por shpejt ai u shpall i pafajshëm nga gjykata. Hetimi për zbardhjen e ngjarjes, edhe pse i ndjekur pas nga një trysni mediatike, nuk arriti të gjente qoftë një fajtor të vetëm për këtë krim, duke bërë që edhe pas 10 vitesh ngjarja të mbetet pa autor. Me pak zhvillime gjyqësore për kujdestarinë e fëmijëve mes të atit dhe gjyshërve, prindërve të Erietës, këtë histori e risjell, edhe pse me tjetër këndvështrim, ky libër i sapo publikuar.
Mesazhet e alarmit
Libri që nis me një dedikim të Dritëro Agollit “Erietën e mbuluan gurët e fjalëve...”, veç kujtimeve të të afërmve dhe të shoqërisë së Erietës, sjell për herë të parë edhe mesazhet autentike të kolegëve të saj të UNICEF, të cilët, të alarmuar, lajmërojnë zhdukjen dhe kërkojnë mbështetje. Mesazhet e pasqyruara në kapitullin “Letërkëmbimi elektronik” nisin rreth një javë pas zhdukjes së Erietës, më 7 prill 2000, kur E. Gjymshana i dërgon një e mail të sigluar “urgjent” shefit të UNICEF të zonës së Baltikut, Akif Saatciolgu. Kolegia i përshkruan eprorit të saj rrethanat e zhdukjes së Erietës, që nga largimi nga puna deri në gjetjen e biçikletës që ajo përdorte. Më tej Gjymshana e informon për një mbledhje urgjente të stafit nga ku i ishte nisur një letër ministrit të Rendit dhe Kryeministrit. Një tjetër e mail i datës 11 prill 2000 tregon se si kolegët e Erietës kanë mbledhur rreth 500 mijë lekë si shpërblim për atë që do të japë informacion për të gjetur Erietën. Po kështu aty sqarohet ideja për të sensibilizuar mediat, madje edhe për ti paguar me qëllim që të ndihmojnë në zbardhjen e të vërtetës. Në vazhdim në tri e mail-e të ndryshme pasqyrohet fakti se ministri i Rendit u ka komunikuar kolegëve të shqetësuar të Erietës se policia ka evidenca se ajo është gjallë, madje në e mail-in e fundit, shkruar një javë para se të gjendej kufoma, thuhet se edhe Kryeprokurori i Tiranës ka të dhëna se Erieta Avdyli është gjallë. Por nga ana tjetër kolegët e saj, apo edhe krerët më të lartë të UNICEF-it, janë të qartë se këto evidenca të pretenduara janë përdorur si justifikim dhe se ata e dinë se telefonata e cilësuar nuk është bërë nga Erieta... Këtu mbyllet ky kapitull.

E mail-et e alarmit

7/04/2000, ora 17:02
Dërg: Enkelejda Gjymshana
Merr: shefi i Baltikut, Akif Saatciolgu
Qëllimi: Urgjent
Lënda: Mungon një Anëtare e Stafit në Zyrën e Tiranës
Përshëndetje Akif! Më poshtë do të gjeni një informacion për historinë e mungesës së koleges sonë.
Të enjten, Erieta Avdyli u largua nga zyra në orën 5:30 pasdite për të shkuar në shtëpinë e prindërve, për të takuar motrën e saj, që ishte kthyer në shtëpi pas një viti pune jashtë Shqipërisë. Fëmijët ishin atje tashmë, për të takuar tezen e tyre. Por Erieta nuk arriti të shkojë kurrë atje. Biçikleta e saj u gjet pranë shtëpisë së saj (ku jeton me bashkëshortin e saj) dhe askush nuk e ka parë më pas kësaj që nga lënia e biçikletës. U zhvillua një mbledhje urgjent e stafit, nga e cila i’u dërgua një letër ministrit të Rendit dhe Kryeministrit...
Tani ka kaluar një javë dhe nuk ka asnjë lajm. Ne duhet të tërheqim vëmendjen e ministrisë së Rendit dhe zyrës së prokurorit për të lëvizur lidhur me çështjen e mësipërme. JU LUTEMI, JU LUTEMI bëni diçka! Shumë faleminderit.
Dt. 11/04/2000
Përmbajtja: Ngritja e fondeve për çështjen “ERI”
Autor: Drejtuesit e Stafit të UNICEF-it
Të dashur kolegë!
Sipas mbledhjes së djeshme të SA, një buxhet prej 500 000 lekësh duhet të mblidhen nga të gjithë pjesëtarët e stafit, maksimumi deri në orën 11:00 të paradites. Ky buxhet duhet të përdoret për të shpërblyer atë person që do të ndihmojë për të gjetur Erjetën, në bashkëpunim me prokurorët. Jeni të mirëpritur të kontribuoni aq sa keni mundësi....
Dt. 12/04/2000, ora 09:33
Dërg: Manuel Fontaine
Merr: Eva, Arta, Anila, Enkelejda, Pierre, Genta
Prioriteti: Urgjent
Lënda: E rëndësishme. Keqkuptim
Të dashur të gjithë ju!
Kuptoj nga një mesazh që kam marrë nga G.S dhe nga Nju Jorku, se sillet rrotull, veçanërisht në Tirana dhe në Gjenevë mendimi se çdo gjë është nën kontroll dhe nuk është e nevojshme të bëhet asgjë tjetër rreth Erit, gjoja sikur ajo kishte marrë në telefon ministrinë e Brendshme në fillim (rreth dy javë më parë). Unë besoj se në te gjithë jemi dakord që ajo nuk ka kuptim, apo jo? Mendoj gjithashtu se kjo po përdoret si justifikim, për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme...
...Nuk është problemi që të akuzojmë dikë, por është e papranueshme që disa akoma bazohen në të ashtuquajturën telefonatë nga ana e Erit, e që ne të gjithë e dimë që nuk është bërë nga Eri, për të justifikuar se nuk ka ndodhur asgjë... Manuel.
Dt: 13/04/2000, ora 11:30
Dërg: Jan Wahlberg
Merr: Zyra e Tiranës
Subjekt: Një pjesëtare e stafit të UUICEF e zhdukur!
Mbas konsultimeve me Përfaqësuesin e UNICEF-it, ziti R. Laurenti, i cili është në Romë, u takova mbrëmë me Ministrin e Rendit, për të më shpjeguar mbi programin e kërkimeve të policisë rreth zhdukjes së znj. Erieta Avdyli. Z. Ministër më siguroi që policia po bën ç’është e mundur për të gjetur zgjidhjen e këtij problemi dhe që ai, personalisht, ka caktuar një funksionar të lartë që i ka marrë përsipër kërkimet. Ai konfirmoi më tej atë çka i ka thënë edhe përfaqësuesit të UNICEF-it para dhjetë ditësh, se znj. Avdyli është gjallë dhe shëndoshë e mirë dhe se policia kishte evidenca për këtë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›