Vrau dashnorin: E bëra për vetëmbrojtje
Burg pa afat për 27-vjeçaren Fatbardha Gjoni, e cila mëngjesin e së hënës vrau me armë zjarri para shtëpisë së saj 40-vjeçarin Flamur Bruka. Kjo ka qenë masa e sigurisë që Gjykata e Rrethit Gjyqësor e Matit ka dhënë dje paradite për autoren e dyshuar të kësaj vrasjeje të ndodhur në fshatin Baz të komunës me të njëjtin emër në Rrethin e Matit. Në seancën e parë të këtij procesi, trupi gjyqësor ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke dhënë burg pa afat për të dyshuarën si autore të kësaj vrasjeje, Fatbardha Gjoni. Burime nga Komisariati i Policisë së Matit bëjnë me dije se menjëherë pas dhënies së masës së sigurisë “burg pa afat”, 27-vjeçarja Fatbardha Gjoni është nisur drejt Tiranës, në burgun 325, për t’iu nënshtruar në ditët në vijim hetimit të kësaj ngjarjeje, për zbardhjen e plotë dhe të saktë të saj. Deri më tani, shkaqet që e detyruan 27-vjeçaren Gjoni të gjuajë me 20 plumba në drejtim të viktimës kanë mbetur enigmë. Zyrtarisht nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat, artikulohet se grupi hetimor vazhdon punën dhe nuk jepet asnjë detaj për motivet. Në momentet e para të arrestimit, Fatbardha Gjoni deklaroi para oficerëve të policisë gjyqësore dhe prokurorëve se ajo e ka vrarë Flamur Brukën për vetëmbrojtje, pasi ka parë viktimën teksa tentonte të hynte me zor në shtëpinë e saj i armatosur. Ndonëse jo zyrtarisht, mësohet se grupi i hetimit po punon edhe në pistën e një bashkëpunimi të mundshëm. Dyshohet se 27-vjeçarja nuk ka qenë e vetme kur ka derdhur 20 plumba mbi viktimën, me të cilin thuhet se ka pasur lidhje prej katër vitesh. Gjithsesi hetimet e mëtejshme do hedhin dritë mbi zbardhjen e plotë të ngjarjes ku humbi jetën 40-vjeçari Flamur Bruka.
#