Maqedoni, “luftë” e hapur mes Presidentit dhe Kryeministrit
Në Maqedoni janë rritur tensionet politike, ndërsa kanë nisur sulmet e hapura Kryeministër-President, ku secili zyrtar kërkon me argumentet e veta dorëheqjen e tjetrit. Partia e
Kryeministrit Nikolla Gruevski kërkon dorëheqjen e Presidentit, Branko Cërvenkovski. Disa orë më vonë edhe Presidenti i vendit reagon në të njëjtën mënyrë, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë, Nikolla Gruevski. VMRO-DPMNE, në një konferencë për shtyp ditën e enjte kërkoi dorëheqjen e Presidentit të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski me motivin se ai ka keqpërdorur postin dhe ka shkelur Kushtetutën e vendit me pjesëmarrjen e tij në disa takime partiake në Veles dhe Gostivar me fondet shtetërore. Partia e Kryeministrit thekson se edhe zyrtarisht Cërvenkovski po kryen funksionin e kryetarit të LSDM-së. Ndërsa presidenti i vendit, Cërvenkovski reagoi se “Jemi të befasuar me nervozizmin dhe panikun që ekziston në radhët e partisë në pushtet. Presidenti Cërvenkovski gjatë vizitave të tij në komuna, është i gatshëm të takohet edhe më përfaqësues të pushtetit lokal dhe me përfaqësues të partive politike, pa dallime nëse janë në pozitë apo opozitë”, thuhet në reagimin e Presidentit. Ndërkohë zyrtarët e ambasadës amerikane në Maqedoni janë alarmuar dje, pasi kanë marrë një letër të dyshimtë, e cila përmbante pluhur të bardhë, të ngjashëm me pluhurin antraks. Zyrtarët e ambasadës kanë marrë masa emergjente sigurie, madje kanë alarmuar studentët dhe mësuesit e një shkolle të ndodhur pranë ndërtesës së ambasadës, të cilët janë larguar menjëherë nga shkolla pas frikës se pluhuri i bardhë do të ishte antraks. Ministria e Brendshme maqedonase ka komentuar se ka marrë sinjalizim për një letër kërcënuese nga zyrtarët e ambasadës, por pas hetimit të menjëhershëm u zbulua, se pluhuri i bardhë nuk ishte as antraks, as bombë. Letra mendohet se ishte dorëzuar vetëm për të alarmuar përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, që në kaluarën kanë pasur eksperienca të hidhura me “letrat e antraksit”. Letra të ngjashme që kanë nxitur panik janë dorëzuar pranë ambasadave amerikane në Berlin, Bruksel, Luksemburg, Bukuresht, Kopenhagën, Dublin, Madrid, Oslo, Paris, Reikjavik, Rigë, Romë, Stokholm, Tallin, Hagë dhe Zagreb, shkruan “Dnevnik”.