E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi i padrejtësisë

Blendi Kajsiu 

Një nga ndjesitë më të prekshme në shoqërinë shqiptare sot është pakënaqësia me status quo-në politike dhe ekonomike që në shumë raste është përqafuar si një fatalitet i paevitueshëm. Aq sa ideja se gjërat mund të ishin shumë më mirë shpesh tingëllon jorealiste dhe pritet me skepticizëm. Shpjegimi që jepet rëndom për këtë fenomen është mungesa e zhvillimit ekonomik, fakti që Shqipëria është një nga vendet më të varfra në Evropë. ...Megjithatë, pakënaqësinë me status quo-në nuk e gjen thjesht tek shtresat më të varfra, por shpesh tek ato grupe shoqërore që janë më mirë ekonomikisht. Tek ato grupe që në Shqipëri bëjnë pak a shumë të njëjtën jetë që bëhet edhe në perëndim, ndoshta edhe më mirë. Nuk kemi të bëjmë pra vetëm më një fenomen të ngushtë ekonomik, por me një fenomen më të gjerë social; të gjithë duken të pakënaqur me atë që kanë vetë dhe akoma më të pakënaqur me atë  që kanë të tjerët.
Në thelb kjo pakënaqësi duket se buron nga fakti se jetojmë në një shoqëri, që vuan nga një mungesë e theksuar e drejtësisë. Drejtësia mungon në shpërndarjen e pronës, tek sistemi i drejtësisë, tek karrierat e bëra apo të munguara në gjirin e partive politike, tek meritokracia e munguar në administratë, apo tek konkurrenca gjithnjë e më e pandershme në treg. Dhe ky është një problem që, me përjashtim të ndonjë politikani alla Ngjela apo intelektuali alla Lubonja, rrallëkush e ngre seriozisht për diskutim. Shpesh debati dhe diskutimi politik në vend fokusohet aq shumë tek ajo, që Berisha i tha Ramës, që Rama i tha Metës apo që Meta i tha Berishës saqë nuk shikojmë se si dita-ditës po rritet një sistem që prodhon padrejtësi në çdo cep të tij. Ashtu si një individ e ka të pamundur të shohë plotësisht rrokaqiellin në këmbët e të cilit ndodhet.  
Edhe më shumë se mungesa e drejtësisë problemi sot është kthimi padrejtësisë në sistem. Aq sa vetë përpjekja për të prodhuar drejtësi shton vetë padrejtësinë. Pikërisht këtë nxori në pah edhe ligji i fundit “Për pastërtinë e figurës”. Edhe pse në parim ky ligj synonte të prodhonte drejtësi në raport me të kaluarën, ai ka shtuar padrejtësinë në raport me të tashmen. Nga njëra anë heqja nga sistemi i drejtësisë i prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë marrë pjesë në dënimet politike të komunizmit prodhon drejtësi për një pjesë dhe kohë të caktuar të shoqërisë tonë. Nga ana tjetër, vetë fakti që ligji kufizohet te disa persona dhe lë të paprekur strukturën politike nga buronte ‘drejtësia’ e diktaturës shton sensin padrejtësisë. Dënohen gjymtyrët e diktaturës, por jo truri dhe zemra e saj që ishte vetë Partia e Punës. Kemi të bëjmë pra, me një akt që nëpërmjet drejtësisë shton padrejtësinë.
Në një pozicion të ngjashëm ndodhet sot edhe sistemi i drejtësisë në raport me ekzekutivin. Në kushtet aktuale sa më shumë drejtësi të ofrojë ky sistem, duke dënuar eksponentët e ekzekutivit aq më shumë ai do nxjerrë në pah mungesën e drejtësisë në skenën tonë politike. Të shumtë janë ata që sot presin dënimin e ministrit Lulzim Basha për të shpallur fillimin e vendosjes së drejtësisë në vend. Por e vërteta është se edhe nëse një dënim i tillë ndodh, edhe sikur një dënim i tillë të jetë i merituar, vështirë të thuhet se ai do të prodhojë më shumë drejtësi në shoqëri. Përkundrazi, një akt i tillë do t’i kujtonte publikut një sërë zyrtarësh të tjerë të lartë socialistë dhe demokratë, që bredhin të lirë pas pasurimit në pushtet. Këta janë të ashtuquajturit ‘ujqërit e vjetër’. Dënimi i Bashës pas tre vitesh ministër përballë lirisë së Berishës pas Gërdecit, apo përballë shfaqjeve publike të disa prej eksponentëve më të lartë të nomenklaturës komuniste pas pesëdhjetë vitesh diktaturë vështirë ta bëjë publikun të besojë se drejtësia është mbi politikën. Në këto kushte, dënimin e një ministri si Basha, edhe sikur të ishte i drejtë, shoqëria më shumë sesa si sukses të drejtësisë do ta shikonte si dështimin e një ’koke turku’. 
Pra, ndodhemi në një situatë ku në sistemin tonë politik nuk ka edhe ‘padrejtësi’, por ka edhe ‘drejtësi’, ama një drejtësi që në raport me të tërën shton vetë padrejtësinë. Dhe kjo buron nga fakti se ‘e tëra’ apo sistemi politik, që ne kemi ngritur prodhon vazhdimisht padrejtësi. Në këtë kuptim vendosja e drejtësisë nuk mund të bëhet nga derivatet e sistemit, si gjyqësori, apo nga arnimi i sistemit politik me ndonjë paketë legjislative. Vendosja e drejtësisë kërkon së pari ndërtimin e një sistemi më të drejtë politik dhe për pasojë ajo është një akt i pastër politik dhe jo thjesht legjislativ, administrativ apo juridik. Ndërtimi i një sistemi më të drejtë nënkupton artikulimin e disa parimeve të pastra politike në raport me të cilat përcaktohen vetë parimet bazë të drejtësisë sociale, apo kolektive. Është një çështje e debatit nëse këto parime bazë janë barazia, liria, apo kombi, por në mungesë të tyre nuk mund të flitet për drejtësi në sensin e gjerë të fjalës, ndërkohë që drejtësi në sensin e ngushtë të fjalës nuk mund të ketë.
Koncepte si demokracia apo shteti i të drejtës janë kthyer në klishe dhe janë zbrazur nga ndonjë kuptim konkret pikërisht, sepse nuk bazohen në vlera konkrete politike që më pas zbërthehen në politika specifike qeverisëse. Të thuash se je për një politikë më të mirë, për një administrim më të mirë, për më pak korrupsion dhe më shumë efeciencë, ose nuk ke thënë asgjë ose ke zbehur parimin bazë në raport me të cilin përcaktohet korrupsioni, efecienca apo mirëqeverisja. Asnjë nga këto koncepte nuk ka kuptim në vetvete jashtë një sistemi vlerash, normash apo idesh politike. Është pikërisht mungesa e këtyre të fundit që tek ne ka prodhuar një regjim, ku padrejtësia është kthyer në sistem. Kur të gjithë janë për gjithçka, edhe për tregun totalisht të lirë, edhe për barazinë dhe harmoninë sociale dhe gjeografike, edhe për tregtinë e lirë, edhe për prodhimin vendas, edhe për tërheqjen, edhe për rolin e shtetit, të gjithë janë për asgjë. Asgjëja tek ne reflektohet pikërisht tek mungesa e parimeve dhe vlerave bazë themelore politike në raport me të cilat mund të ndërtohej një sistem me drejtësi, jo thjesht në sensin e ngushtë të drejtësisë si procedurë juridike brenda gjyqësorit.  Pamundësia për të ngritur një sistem me drejtësi rezulton në ngritjen e padrejtësisë në sistem. Ky sistem nuk është gjë tjetër veçse arbitrariteti, që buron nga mungesa apo injorimi i çfarëdolloj parimi apo vlere politike, çka reflektohet, tek standardet e dyfishta politiko-ekonomiko-sociale, tek deklaratat e politikanëve, ku fjalia e parë bie ndesh me të dytën, tek inkoherenca e aksioneve dhe qëndrimeve politike, e kështu pafund në një sërë fenomenesh të zeza, që ne shkurt i quajmë korrupsion. 
Vetëm politika mund t’i japë fund kësaj. Por jo politika e vjetër që parimet politike i zëvendësoi me gogolin e komunizmit apo të korrupsionit. As politika e re që në vend të parimeve ngrihet mbi gogolin e politikës së vjetër. As politika e ndërkombëtarëve, që parim themelor ka stabilitetin dhe interesat e saj. As politika e integrimit euro-atlantik, që i varros parimet dhe vetë politikën në reforma administrative. Vetëm politika me identitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›