Serbët rebelohen: Nuk i zbatojmë ligjet e Prishtinës
Pas deklaratës së kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, se shumë shpejt pas vendosjes së EULEX-it në veri do të vendoset edhe autoriteti i institucioneve të Prishtinës, serbët e komunave veriore janë rebeluar, duke kërkuar shpjegime nga Beogradi. Reagimi i serbëve erdhi pas hapjes së Gjykatave ndërkombëtare në Mitrovicë dhe optimizmit të qeverisë për nisjen e funksionimit të rendit në zonat serbe dhe zbatimit të ligjeve kosovare në to. Ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç gjatë vizitës së tij në Kosovë dy ditë më parë, tha se me planin e Kombeve të Bashkuara është paraparë, që gjykatësit serbë në Kosovë të mos gjykojnë në bazë të ligjeve kosovare, por në bazë të atyre që janë miratuar deri më 1989 dhe rregulloreve të UNMIK-ut. Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, Bogdanoviç tha se gjykatësit në Mitrovicë dhe pjesët tjera të banuara me serbë do t’i emërojë përfaqësuesi i UNMIK-ut, me pajtimin e Beogradit. Ai ka folur edhe për bashkëpunimin me misionin evropian për sundimin e ligjit EULEX, por ka kundërshtuar një bashkëpunim të këtillë edhe me Zyrën Civile Ndërkombëtare në Kosovë. Ndërkohë, presidentët e katër komunave me popullsi shumicë serbe në veri të Kosovës, Zveçan, Mitrovicë, Leposaviç dhe Zubin Potok, kanë deklaruar në një konferencë për shtyp mbajtur në Zveçan, se EULEX ka nisur zbatimin e planit Ahtisari dhe respektimin e Kushtetutës së Kosovës. Presidenti i komunës Zubin Potok, Sllavisa Ristiç, tha se UNMIK nuk po funksionon në këtë fushë ashtu siç kishte paralajmëruar dhe njoftoi se presidentët e komunave serbe në veri të Kosovës do t’i kërkojnë Beogradit interpretimin e detajuar të gjashtë-pikëshit të Ban Ki Munit mbi rikongfigurimin e UNMIK-ut. “Ne duam të dimë nëse do të drejtojë UNMIK, EULEX apo Ministria e Brendshme e Kosovës”, tha Ristiç. Ai përforcoi gjithashtu edhe deklaratën e ministrit serb për Kosovën bërë dy ditë më parë se: “ligjet e Kosovës së vetëshpallur shtet nuk do të lejohet të zbatohen në gjykatat e Mitrovicës dhe të tjerat në veri”. “Ne do të vazhdojmë betejën tonë dhe nuk do të lejojmë instalimin e institucioneve të shtetit ilegal të Kosovës ne veri”, theksoi Ristiç.