E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, protestuesit përleshen me policinë

BBC-ja transmetoi pamje direkt nga vendngjarja ku shihen qartë përleshjet mes protestuesve dhe policisë. Korrespondenti i BBC-së shpjegon nga Athina se dhuna sapo ka filluar.

Dhjetëra protestues nga mijëra të tillë që ndodhen në sheshin kryesor të kryeqytetit grekë sulmuan policinë me mjete të forta dhe plasëse, teksa forcat e sigurisë u kundërpërgjigjen me gaz lotsjellës dhe të shtëna në ajër. Në pamjet e transmetuara shihen qartë protestuesit tek largohen me shpejtësi në panik e sipër.

Unionet greke të punëtorëve kanë nisur sot një grevë të përgjithshme 48-orëshe, kështu transporti publik, hekurudhor, ajror dhe detar është pothuajse jashtë funksioni. Teksa doganat, edhe me Shqipërinë nuk funksionojnë fare.

Parlamenti grek ka nisur dje debatin për masat e reja të kursimit, të nevojshme për sigurimin ndihmave ndërkombëtare. Debate do të zgjasë deri nesër mbrëma kur pritet të bëhet edhe votimi.

Masat e reja të kursimit - tepër jo popullore për grekët – rezultojnë të kenë vetëm një alternativë: falimentimin e vendit. Projektligji për kursimin e 28 miliardë eurove, nga rritja e taksave, shkurtimi i shpenzimeve dhe shitja e aseteve shtetërore, nga viti 2012 deri në vitin 2015 do të votohet të mërkurën dhe nëse kalon hyn në fuqi që të nesërmen.

Nëse parlamenti grek voton pro, BE-ja dhe FMN-ja do ndezin dritën jeshile për dhënien e 12 miliardë eurove qeverisë greke, e nëse jo falimentimi është i pashmangshëm.

Rezultati i debatit është i pasigurt. Kryeministri Jorgos Papandreu përballet me kundërshtime brenda partisë së tij. Dy nga deputetët socialistë kanë theksuar se do të votojnë kundër projektligjit. Partia e Papandreut ka një shumicë të brishtë, teksa ka vetëm 155 deputetë nga 300 karrige që ka Parlamenti. Unionet kanë thirrur një grevë dy-ditore e cila fillon mëngjesin e së martës.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2011-06-28 14:04
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›